Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Shqipëri, Taulant Balla, nga Fieri ka folur për sa i përket dosjes “CEZ-DIA”.

Ai deklaroi se ka përshëndetur njoftimin e bërë nga mediat, jo zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për të marrë në pyetje një prej dëshmitarëve kryesorë në dosjen e CEZ-it.

“Nuk e di në çfarë statusi është marrë Ismailaj, por nëse pranon të bashkëpunojë me drejtësinë në funksion të zbardhjes është diçka e mirë”.

Sipas tij, Kuvendi ka investuar në atë çështje në një komision hetimor parlamentar.

“Raporti është depozituar në 2017-ën në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokuroria nuk kreu hetime për një nga aferat më të rënda korruptive në 30 vitet e fundit. Të mos harrojmë që Kuvendi ka denoncuar publikisht Sali Berishën dhe bashkëpunëtorë apo familjarë të tij lidhur me këtë çështje”.

Më 21 prill, Balla, nga foltorja e Kuvendit bëri thirrje që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të marrë në pyetje ish-kryeministrin Sali Berisha për çështjen “CEZ-DIA”.

Balla kërkoi të rinisen hetimet dhe që SPAK t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje.

“SPAK të jetë zgjuar dhe ta hetojë edhe atë çështje. Kastriot Ismailaj është marrë në pyetje nga prokurorët. Është Berisha, i pari që duhet të merret edhe si i akuzuar, edhe si dëshmitar. Është Nuel Kalaj, personi që mori një thes me euro dhe i ngarkoi në makinë”.