Fjalimin e natës së vonë ai e ka kthyer në të përditshëm tashmë, duke iu adresuar jo vetëm kombit të tij por gjithë botës dhe këtë herë, me tone shumë të ashpra, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar krerët e lartë rus se “fundin e jetës së tyre”, do ta shohin prapa hekurave.
Tepër emocional pas masakrës që ka ndodhur në qytezën e Bucha-s, në periferi të Kievit, Zelensky ka siguruar se për faktin se gjendemi në vitin 2022, ka shumë më shumë mjete për të vërtetuar krimet ruse, se sa kishte në Luftën e Dytë Botërore, për të dokumentuar atë çfarë bënë nazistët ndaj hebrenjve.
“Sot, njerëzit nuk ekzekutohen pas gjykimit”, tha presidenti ukrainas. “Por, të gjithë gënjeshtarët e frontit të parë dhe eprorët e tyre në Moskë, duhet të kujtojnë një gjë: Fundi i jetës së tyre, do të jetë pas hekurave…në rastin më të mirë!”.
Sipas tij, Ukraina po bën gjithçka për të faktuar atë çfarë ndodhi jo vetëm në Bucha, por edhe në qytete të tjera në rrethinat e Kievit.
E gjithë kjo, për të provuar se Kremlini ka gisht në ngjarje dhe për t’i dënuar sa më shpejt ata të cilët e urdhëruan aktin barbar.
Deri tani, mbi 410 persona janë gjetur të vdekur rrugëve ose të dergjur nëpër varre masive me mbi 200 persona.
Ndaj, për Zelensky, duhet bërë gjithçka për t’i ndëshkuar fajtorët, në bashkëpunim me aktorët ndërkombëtare.
“Kjo do të jetë një punë e përbashkët midis nesh dhe Bashkimit Evropian apo institucioneve ndërkombëtare, në veçanti me Gjykatën Ndërkombëtare të krimeve”, shtoi ai. “Gjithçka po dokumentohet. Gjithçka keqbërësin kanë kryer. Procedurat bazë janë mundësuar për të filluar fajësimin e Ushtrisë ruse dhe për të dënuar krimet e tyre”.
Teksa, në përmbyllje, ai ka thënë se do të vijë edhe koha kur qytetarët rusë ta mësojnë të vërtetën e asaj çfarë po ndodh në Ukrainë. Kjo, pasi shpesh, Zelensky dhe homologët e tij perëndimorë, kanë shprehur shqetësim mbi faktin se media në Rusi po paraqet një luftë krejt të ndryshme nga kjo e cila po ndodh.
“Gjithë globi do ta mësojë të vërtetën”, përfundoi ai.