Në fushatën e vitit 2021 epiqendra do të jetë kryeqyteti, jo vetëm nga numri i lartë i deputetëve që nxjerr, 35 të tillë, por edhe për nga rëndësia, ku pritet të varen fatet politike të çdo kahu.

Partia Socialiste, konkretisht kryeministri Edi Rama, do të vërë në balancë premtimet dhe realizimet, ku bonusin në duar do ta ketë për punën e bërë në ndryshimin e Tiranës ku, pavarësisht kritikave, dëshirave apo gustove, Erion Veliaj ka lënë shenjën e tij.

Dy herë i zgjedhur kryebashkiak i Tiranës, ministër i Çështjeve Sociale dhe i Rinisë dhe deputet i zgjedhur në zgjedhjet e vitit 2013. Pushtetari më i targetuar nga kundërshtarët opozitarë. Aq shumë i mikluar nga media, po aq i sulmuar prej tyre. E, megjithatë, pavarësisht këtyre, zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 për Partinë Socialiste do të jenë në dorën e tij.

Ashtu si do të performojë politikisht në fushatë Tirana, ashtu do të jetë edhe fitorja ose humbja e Partisë Socialiste. Pikërisht duke i ditur këto, vetë Erion Veliaj, më 11 korrik tha publikisht i ftuar në një forum në fondacionin “Qemal Stafa”: “Vitin tjetër kemi zgjedhje dhe unë do të punoj 24/7, që Partia Socialiste dhe Edi Rama të fitojnë mandatin e tyre të tretë.

Mandati i tretë do të ishte historik, sepse në Shqipëri, në 30 vite pluralizëm, nuk ka ndodhur asnjëherë që një forcë politike të mandatohet tri herë radhazi. Unë besoj se i kemi të gjitha argumentet për ta kërkuar një mandat të tretë, jo pse opozita është e shpartalluar, por se në 8 vjet jemi partia numër një, e padiskutueshme, garën e kemi me veten.

Por, ca gjëra mund t’i bëjmë shumë më mirë”. I bindur që kush merr Tiranën, fiton edhe zgjedhjet, Veliaj kërkon t’i bëjë një shërbim më shumë Partisë Socialiste dhe në mënyë të veçantë kryetarit të saj, Edi Rama. Me një mandat të tretë në xhep, Rama dhe PS-ja do t’i thyenin të gjitha rregullat e këtyre 3 dekadave, ku asnjë forcë politike nuk ka fituar më shumë se dy mandate qeverisëse njëri pas tjetrit. Në dukje kjo është një fitore e madhe e Edi Ramës.

Në fakt, më shumë se e Ramës, ajo do të ishte një fitore e madhe e Erion Veliajt. Përse e Erion Veliajt? Nëse kjo ndodh, i bie që Edi Rama të jetë kryministër deri në vitin 2025, çka do të thotë se në fund të mandatit të tretë ai do jetë 61 vjeç. I ngopur me 27 vjet në politikë nga të cilat 26 në pushtet dhe vetëm 1 në opozitë, Edi Rama nuk mund të ketë më orekse. Rrjedhimisht dhe natyralisht, ai dikujt do t’ia lërë stafetën.

Këtë e ka konfirmuar me gojën e vet kur ka thënë se “kur të largohem nga detyra e kryeministrit nuk do marr asnjë detyrë tjetër shtetërore”. Mjafton kjo fjali për të kuptuar se Edi Rama do të dalë në pension politik pasi të largohet si kryeministër.

Dhe pasardhësi i tij i padiskutueshëm është Erion Veliaj. Është Rama që e afroi dhe e futi në politikë dhe në PS, kurse Erion Veliaj ia ka kthyer me besnikëri këtë afrim që ai i ka bërë.

Por edhe nëse PS-ja i humbet zgjedhjet e vitit 2021, përsëri Erion Veliaj pritet të jetë fituesi i kësaj humbjeje. Pak gjasa ka që Edi rama mund të ketë energjinë dhe oreksin për të riorganizuar PS-në në opozitë, me idenë që të qëndrojë 8 vite pa pushtet.

Kështu që Erion Veliaj është adapti që mund ta ringrejë dhe mbajë PS-në në opozitën e re. Por jo vetëm adapti. Erion Veliaj është siguria politike dhe i vetmi besnik real ndaj Edi Ramës. Një garanci për Edi Ramën dhe gjithçka që ai do të lërë pas. Të dyja variantet mund të ekzistojnë dhe të dyja mund të jenë reale. Dhe që të dy kanë një fitues: Erion Veliajn.

Lideri i ardhshëm i PS-së 

Në PS pothuajse janë të bindur të gjithë se Erion Veliaj do të jetë pasardhësi i Edi Ramës. Edhe në PD janë të bindur për këtë. Kjo është arsyeja që opozita çdo ditë ngre furtuna sulmesh ndaj tij, që kuptohet janë sa si kryebashkiak kundërshtar politik, aq edhe ndaj një lideri të ardhshëm të PS-së. Ka një stradegji në PD që Erion Veliaj të goditet sa më shumë.

Madje dukshëm disa sulmojnë me lehtësinë më të madhe Veliajn dhe çuditërisht nuk sulmojnë fare kryeministrin Edi Rama. Dhe kjo nuk bëhet pa qëllim. Ka një stradegji dhe objektiv politik për këtë.

PD-ja e ndjek dhe e nuhat që Veliaj do të jetë pasardhësi i Edi Ramës dhe i intereson dobësimi sa më shumë i formatit të tij politik. Megjithatë, Veliaj me PD-në ka një bilanc që në fakt duhet të jetë i qetë.

Një fitore masive në zgjedhjet e vitit 2015 dhe një fitore me bojkot të PD-së në 2019 flasin se ai ka arsye të shfaqet me nota irrituese ndaj kundërshtarëve politikë.

Edhe ato media që e sulmojnë janë më shumë pjesë e propagandës së opozitës sesa bëjnë punë profesionale. Po të ishte ndryshe, do të bënin po aq, në mos më shumë kritika për Lulzim Bashën, kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Mes politikës dhe COVID-19, Erion Veliaj nga beteja në betejë 

Kur më 2008 Erion Veliaj futi të dyja këmbët në politikë, duhet të ketë parashikuar se e prisnin shumë beteja. Beteja me opozitën, beteja më median, beteja me kundërshtarët brenda dhe jashtë Partisë Socialiste.

Rregulli e donte që asnjë politikan nuk është rritur pa bërë beteja. Fundja, edhe vetë ai u rrit duke bërë beteja. Betejë me Fatos Nanon. Betejë me Sali Berishën. Betejë me Lulzim Bashën. Betejë me Ilir Metën.

Betejë me Monika Kryemadhin, betejë me majtas dhe djathtas. Por kurrë nuk kishte menduar se një betejë shumë më delikate se këto do të ishte me virusin COVID-19. Prej dy javësh është bartës i virusit të tmerrshëm, por po e kalon atë me shumë forcë.

Sapo ka mësuar se testi i parë ka dalë negativ dhe është në pritje të të dytit, me gjasë që edhe ai të jetë negativ. Dhe kur një ditë të numërojë betejat që ka bërë në jetë, sigurisht këtë me COVID-19 do ta rendisë ndër të parat e rëndësishme. Fundja, është betejë me shëndetin, një betejë që po e fiton.

Veliaj, nga Mjafti në elitë-politikë!

Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ai lindi në Tiranë, më 17 dhjetor 1979. Pas përfundimit të shkollës së mesme në gjimnazin “Sami Frashëri”, ai ndoqi studimet e larta në SHBA, ku është diplomuar për Shkenca politike në Grand Valley State University, Michigan.

Më pas, ai përfundoi studimet Master në Mbretërinë e Bashkuar, pranë University of Sussex, me fokus tek integrimi evropian. Përpara se të kthehej në Shqipëri, në vitin 2003, Erion Veliaj ka punuar në Amerikën e Veriut e të Jugut, Afrikën Lindore dhe në Kosovë.

Në vitin 2003, Veliaj themeloi lëvizjen MJAFT, një organizatë që unifikoi frymën aktiviste e protestuese të rinisë shqiptare, e që në vitin 2004 mori edhe çmimin e Kombeve të Bashkuara për shoqërinë civile.

Lëvizja MJAFT, përveç kreativitetit dhe energjisë, u bë e njohur edhe për mënyrën inovative të drejtimit, ku mbizotëronte puna e grupit. Në vend të qendërzimit të aktiviteteve nën drejtimin e liderit, lëvizja karakterizohej nga delegimi i punës tek të gjithë anëtarët e skuadrës – një element që vazhdon të mbetet thelbësor në mënyrën e drejtimit të Veliajt.

Erion Veliaj drejtoi lëvizjen MJAFT deri në nëntor të vitit 2007. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 ai ishte kandidat për Kuvendin e Shqipërisë përmes listës civile G99. Në periudhën 2007–2009, Veliaj iu bashkua Iniciativës për Stabilitetin Evropian, një organizëm kyç në promovimin e zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Evropës Qendrore e Lindore.

Në vitin 2011 Veliaj iu bashkua Kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë si sekretar për Rininë dhe Emigracionin, ku u dallua për organizimin për herë të parë të stukturave të Partisë Socialiste në vendet ku punojnë e jetojnë shqiptarë, sidomos në Greqi dhe Itali.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 Veliaj ishte kandidat i Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, nga ku u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në shtator të vitit 2013, Veliaj u emërua ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Në krye të kësaj ministrie, ai u dallua për menaxhimin mjaft të suksesshëm të një institucioni, buxheti i të cilit përbën rreth 30% të buxhetit të shtetit. Në vetëm 1 vit e gjysmë, nën drejtimin e Veliajt, MMSR spikati në kabinetin qeveritar dhe në sferën e opinionit publik me hartimin dhe zbatimin me sukses të pesë reformave kryesore, të cilat kishin një rëndësi shumë të madhe për vendin, qoftë edhe për faktin se nuk ishin marrë asnjëherë në konsideratë në 24 vite demokraci:

1) Reforma në pensione – Një ndër reformat më të guximshme, por edhe më të domosdoshme për qytetarët ishte reforma e pensioneve, e cila duke rritur përfitimet për të gjitha pagat, riktheu besimin e qytetarëve në skemë, duke e rritur numrin e kontribuesve me 93392 persona në vetëm 1 vit.

2) Tregu i punës – Me hapjen e zyrave të reja e moderne të punës dhe ndryshimin e imazhit të shërbimeve të punësimit, reforma e tregut të punës dha rezultatet e para, duke rritur numrin e të punësuarve.

3) Pagesat sociale – Një sfidë me rëndësi ishte edhe situata me pagesat sociale për shtresat në nevojë, të cilat nuk i merrnin pagesat e muajve të fundit të vitit. Pastrimi i skemave nga abuziviteti, digjitalizimi dhe miradministrimi i financave bënë të mundur që ata t’i merrnin të gjitha pagesat në kohë, në vitin 2014.

4) Arsimi profesional – Një reformim të thellë pa edhe sistemi i arsimit profesional që u orientua drejt sistemit dual gjerman, duke i dhënë më shumë rëndësi praktikimit të aftësive teorike e duke i afruar aftësitë e nxënësve me kërkesat e tregut të punës.

5) Të përndjekurit politikë – Procesi për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe në reformimin e sistemit të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë, duke dhënë 4 këste në vetëm 1 vit, ndërkohë që në 8 vjet ata ishin dëmshpërblyer vetëm me 1 këst. (Botuar në gazetën Fjala)