Partitë pro perëndimore janë në krye në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Bullgari, sipas parashikimeve të bazuara në sondazhe, pas zgjedhjeve të shtata në vend në tre vjet e gjysmë.

”Midis 25,5%-26,4% e votuesve hodhën votat e tyre për aleancën e qendrës së djathtë GERB-SDS”, thanë dy institute të sondazheve, ”Gallup International Balkan” dhe ”Alpha Research”, pas mbylljes së qendrave të votimit.

Forca e dytë politike më e fortë është aleanca liberalo-konservatore PP-DB, që tani parashikohet të marrë 13,8%-14,4% nga 14,9%-15,4% të votave.

Të dyja aleancat duan të ruajnë orientimin euroatlantik të Bullgarisë dhe të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në konfliktin e armatosur me Rusinë.

Sipas të dhënave të fundit, partia pro ruse, nacionaliste dhe populiste ”Vazrazdane” (”Rilindja”) doli e treta me 13,0%-13,4% nga 12,9%-13,8%.

”Vazrazdane”, e cila është përfaqësuar në Parlamentin e BE që nga zgjedhjet evropiane në qershor, dëshiron të rinegociojë traktatin e pranimit të vendit në BE, të tërheqë anëtarësimin e Bullgarisë në NATO dhe të shtyjë një referendum për futjen e euros, i cili u shty kohët e fundit për shkak të normave të inflacionit.

Sipas parashikimeve, gjithsej të paktën shtatë dhe më së shumti nëntë parti mund të hyjnë në parlament.

Politologët presin që formimi i qeverisë të jetë i vështirë.

Zgjedhjet u bënë të nevojshme sepse asnjë parti nuk mundi të formonte një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 qershorit.

Derisa të formohet një qeveri e rregullt, kabineti aktual i përkohshëm do të vazhdojë të qeverisë.