Rektori i Universitetit të Tiranës është pezulluar nga detyra nga Ministria e Arsimit.

Ministria e Arsimit i kërkon presidentit Meta shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Përmes një deklarate për mediat, ministrja Besa Shahini tha se institucioni që ajo drejton ka vendosur pezullimin e rektorit Koni, ndërsa tha se i është drejtuar me kërkesë kreut të shtetit për shkarkimin e tij.

“Më ka bërë përshtypje që edhe publikisht, profesor Koni është ankuar për dekanët dhe pjesën administrative, por nuk ka ardhur kurrë me një kërkesë të mirë- argumentuar që t’ia miratojmë shkarkimin e dekanëve. Unë nuk kam në dorë asnjë mjet tjetër ligjor përveçse të pezulloj Rektorin e UT-së dhe të kërkoj nga Presidenti i Republikës, shkarkimin e tij.

Më vjen keq për zotin Koni, unë jam udhëheqëse dhe dua të sigurohem që reforma po zbatohet. Është e vështirë që të marrësh vendim për të pezulluar dikë që është zgjedhur me vota. Vendimin për të shkarkuar rektorin e merr presidenti dhe ai do ketë në dispozicion çdo informacion. Jam dakord me Presidentin ku në Universitetin e Tiranës, nuk është zbatuar ligji dhe është keqmenaxhuar.

Jam e bindur që Presidenti do të marrë vendimin e duhur për të zgjidhur ngërçin në Universitetin e Tiranës”, u shpreh Ministrja Shahini.

Veritas.com.al