Nga: Nard Ndoka/

Falënderoj nga zemra të gjithë ata votues që besuan ‘Opozitën e Bashkuar’, Partinë Demokratike! Mirënjohje për të gjithë qytetarët e Qarkut Shkodër, që edhe kësaj radhe dolën fitimtarë përballë shtetit të agresuar, blerjes masive të votës, presioneve deri në dhunë fizike!

Demokratët, Demokristianët e gjithë të tjerët, njerëzit e thjeshtë që duan lirinë dhe dinjitetin e tyre, treguan se janë ata që vendosin me votë! Të ardhmen nuk e vendos paraja e pisët, krimi e droga, por vota e shenjtë e tyre!

Respekt për ata qindra komisionerë dhe numërues, që përballuan presionet politike dhe të grupeve kriminale, që nuk u joshën nga milionat e ofruara, por treguan dinjitet, përgjegjësi politike e morale, duke u bërë pjesë e shpresës se: ka burra dhe gra që i dalin Zot vetes dhe kauzës.

Falënderim për Demokratët e Pukës e Fushë Arrzit, për qëndresën e tyre, për burrërinë dhe fisnikerinë e treguar në këtë përballje të egër.  Ata patën përballe anti- shtetin qendror e lokal, grupet kriminale, paratë e pista, presionet, dhunën, terrorin psikologjik dhe përsëri Ne rezistuam, qëndruam fort dhe të bashkuar! Mirënjohje për të gjithë Ju miqtë e mi; që u bëtë pjesë e ekipit opozitar!

Tashmë është detyra dhe obligimi ynë për t’ju përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë; ku kemi situatë problematike përpara!

Lideri i Opozitëz, Z.Basha, u përball me vështirësi dhe përgjegjësi të mëdha, si para procesit, ashtu edhe gjatë tij.

Unë mendoj dhe besoj, se mori vendimet më të mira për vendin dhe Opozitën; vendime të mëdha dhe të guximshme.

Lulzim Basha pati përballë një ‘junte shtetërore’, që e çmontoi në dy e tri pjesë, që ngriti lart moralin e shpresën e demokratëve në të gjithë Shqipërinë; por koha ishte e shkurtër, emergjente dhe e pamjaftueshme për të fituar betejën!

Lulzim Basha i duhet Opozitës; u duhet Demokratëve për të vazhduar luftën me të keqen, për të vendosur standarde kushtetuese për Kodin Zgjedhor, për Drejtësinë, për reformat dhe integrimin tonë europian.

Demokratët nuk kanë kohë për të humbur, as për të vajtuar, as për të dëgjuar kritikët inatçorë, që vetëm shajnë e kritikojnë. Personazhe pa alternativa, pa ide, por vetëm me mllef!

Opozita ka një projekt, ka një alternativë, ka një shpresë, dhe ky është Lulzim Basha!

 

Ne humbëm një betejë që ishte e minuar, por ngritja dhe fitorja jonë është e afërt dhe e sigurt.

 

?Fitorja e Edi Ramës është si fitorja e ‘Pirros’, fitore e deformuar!

 

♦️Edi Rama duhet të mendojë mirë, të respektojë marrëveshjen me opozitën, të lexojë qartë votën reale dhe atë të tjetërsuar!

 

✌️Për Lulzim Bashën tashti fillon loja e pastër! Fillon epoka e tij! Intrigat, kurthet, vështirësitë, tashmë morën fund!