Kryeministri i parë shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, e ka bërë të ditur se është pro iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”. Në një intervistë për “Klan Kosova“, Abazoviç tha se kjo iniciativë është e krijuar që brenda vetes t’i ketë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe se Kosova është ajo që përfiton më së shumti,
“Ballkani i Hapur” është i bërë për gjashtë shtete, nuk është i bërë për pesë shtete e gjysmë ose tre shtete e gjysmë, ose për 4.7 shtete, por për gjashtë shtete. Gjithkush që participon reprezanton vetveten dhe shtetin e vet. Mendimi im, ndoshta jam gabim, është se interesi më i madh në rajon është i Kosovës që të jetë në çdo iniciativë rajonale”.
Samiti i radhës i Ballkanit të Hapur do të mbahet në 9-10 qershor në qytetin e Ohrit. Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së me komisionerin e Bashkimit Europian Për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi,i bëri një ftesë publike Abazoviç për t’iu bashkuar Ballkanit të hapur.
“Jemi shumë të interesuar që edhe të tjerë të përfshihen se Ballkani i Hapur është krijuar për të qenë gjithëpërfshirës, dhe duke folur me kryeministrin e ri të Malit të Zi, imagjinoni sikur dikush t’ju thoshte 5 vjet më parë që Ballkani Perëndimor me 6 vende, do kishte 3 kryeministra shqiptar, sot është realitet, mund të jetë gjë e mirë ose e keqe, por nuk është pak, është shumë, sikundër është e qartë që shqiptarët në këtë kohë që kanë rilidhur urat me Euopën ecin përpara nëse dinë të sillen si njerëz të paqes, kjo është pak, por e sigurt dhe ne do e riftojmë Malin e Zi, i takon kryeministrit të Maqedonisë së Verit ta bëj ftesën, se samiti i ardhshëm do të jetë në Ohër, dhe unë nga ana ime do bëj inkurajimin tim për Dritanin që të jetë në tryezë, ka qenë optimist ndaj kësaj nisme, por vjen Mal i Zi, Kosova, apo Bosnja,Ballkani i Hapur do të vijojë, të gjithë do vijnë një ditë, kush do vijë më vonë do ketë humbur më shumë”, tha më herët Rama.