Akuzave të opozitës për lidhjen me ish zyrtarin e FBI-së, Charles McGonial që u arrestua në Nju Jork, Edi Rama iu përgjigj se SHBA nuk do ta kursente si fajtor nëse do të rezultonte në hetime. Sulmin e opozitës e cilëson si “gjyq ndaj tij në Big Brotherin e politikës”.

Në një postim në Twitter, Rama thumboi opozitën që sipas tij duhet kuptuar se nuk bën asgjë dhe i beson vetëm asaj që doi. Duke mos dhënë asnjë koment tjetër për arrestimin e zyrtarit të FBI-së dhe akuzat e tij se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë, Rama tha se ka vendosur të mos merret me protagonistët ‘e Big Brotherit’. Po ashtu shtoi se kohën e tij do ia dedikonte punëve dhe njerëzve që kanë ende çështje për të zgjidhur.

Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!

Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur.

Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, shkroi Rama në Twitter.

Duke iu referuar udhëtimeve të McGonial në Tiranë dhe takimit me kryeministrin Edi Rama, opozita kërkoi që të nisnin hetimet nga SPAK pasi pretendojnë se pagoi ish zyrtarin e lartë të FBI-së për të sajuar çështjen e rublave ruse. Ilir Meta akuzoi kreun e qeverisë se përdor agjentët amerikanë për aferat e tij ndërsa Sali Berisha tha se duhet të ngrihej një komision i posaçëm që të hetojë gjithë këtë çështje duke qenë se SPAK nuk kishte marrë asnjë veprim për ta hetuar.

Amerikani McGonigal që u arrestua dje në SHBA përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington DC., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Akuzat tjetër lidhet me 2 shqiptarë. McGonigal, agjent amerikan dhe zyrtar i Lartë i FBI, dyshohet se merrte ryshfet nga Agron Neza, shqiptaro-amerikan dhe dyshohet ish agjent shqiptar i inteligjencës, për të ndikuar që një koncesion i majmë i hidrokarbureve t’i jepej një kompanie të administruar nga Shefqet Dizdari, i cili më pas bëhet edhe ortak biznesi me personazhet e mësipërm. Problemi ishte se përfituesi fundor i koncesionit ishte Gazprom, gjigandi i shtetit rus, lidhjen me të cilin amerikanët nuk mund t’ia falin një zyrtari të lartë të tyrin, siç ishte Charles McGonigal.