“Brenda familjes tonë po ndodh një dramë, por dramat janë mundësi për t’u ndarë me të shkuarën. Unë kam një parim për bashkimin e demokrateve rreth vlerave”. Me këto fjalë iu drejtua ish-lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha disa simpatizantëve në Shkodër.

Basha pranoi gabime, por jo faje. “Mund të kem bërë gabime gjatë drejtimit të PD por nuk kam bërë faj në asnjë moment”, deklaroi Basha , që shtoi se “më 6 mars beteja ka qenë ajo e vlerave dhe antivlerave. Sot kemi pushtim i selisë por jo pushtim i zemrave të demokratëve, vendimi i gjykatës i paligjshëm dhe kjo do të faktohet”.

Basha më pas u përqendrua te objektivi kryesor i kritikave të tij, ish-kryeministri Sali Berisha.

“Një grusht njerëzish mban peng politiken, mposhtja e këtij sistemi kërkon të kuptojmë ne sa kemi qenë në lartësinë e detyrës. Bashkimi bëhet rreth vlerave ndërkohë që sot në PD mblidhen rreth antivlerave. PD nuk bën përpara me non grata. Unë nuk flas as për kandidim as për rikandidim, nuk jam për veten time, jam për vlerat e PD. Jam këtu që t’i qëndroj asaj fjale, hodha hapin pas për t’i hapur rrugë bashkimit të demokratëve. Sa hapa keni parë ju nga pala që solli përçarje? Basha mori përgjegjësinë e tij, kur do e marrë përgjegjësinë Sali Berisha për të çliruar Partinë Demokratike? Unë flas për bashkim ai flet për përçarje”, deklaroi ish-kryedemokrati.