Njëzetë e nëntë anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të enjten i kërkuan Lulzim Bashës të lirojë ambientet e punës së kryetarit të partisë, duke i vendosur si afat përfundimtar datën 5 janar ose përndryshe, sipas tyre, anëtarësia e PD-së do të jetë e detyruar të shndërrohet në përmbarues të këtij vendimi politik.

Një nga anëtarët e këtij komisioni, Belind Këlliçi, theksoi se shkresa do i dërgohet përmes postës Lulzim Bashës, ndërsa janë vënë në dijeni edhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë.

Ai tha se Kuvendi i Partisë Demokratike me datë 11 dhjetor vendosi shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar partie, por shtoi se pavarësisht nenit 43 të Statutit, kjo vendimmarrje mund të ishte vetëm e Kuvendit, ky i fundit, sipas tij, në respekt të mijëra demokratëve vendosi të ratifikonte vendimmarrjen përmes një referendumi të mbajtur, sipas parimit një anëtar një votë.

Rezultati i tij përfundimtar sanksionon që 43 mijë demokratë kanë vendosur në favor të vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe shkarkimin tuaj”, tha Këlliçi.

Ai, deklaroi se Komisioni i Rithemelimit të PD me anë të këtij komunikimi zyrtar e fton të njihet me vullnetin e PD-së dhe organeve më të larta.

Kërkohet nga ana juaj që të merren të gjitha masat për ta jetësuar vullnetin e demokratëve duke liruar ambientet e punës së kryetarit të partisë deri më 5 janar 2022”, tha Këlliçi.

Sipas tij, refuzimi i vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe vullnetit të 43 mijë anëtarëve që ratifikuan vendimin e shkarkimit, do detyrojë anëtarësinë e PD-së të shndërrohet në pëmbaruesin e këtij vendimi politik