“E dashur zonja ministre. Në emër të Departamentit të Shtetit, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen tonë më të thellë Republikës së Shqipërisë që ishte vendi i parë që ofroi një “parajsë të sigurt” për afganët e rrezikuar dhe për zemërgjerësinë e kurajën që kanë treguar njerëzit tuaj gjatë operacioneve të NATO-s në Afganistan”.

Kështu nis letra e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për ministren shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në shenjë falënderimi dhe vlerësimi për partneritetin e Shqipërisë me aleatin më të madh në botë, SHBA-të.

Në veçanti, Blinken e ka falënderuar Xhaçkën, për ndërhyrjen e saj të fuqishme në Ministerialin e 20 gushtit.

Letra e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, për ministren Olta Xhaçka

Blinken, në letër, thekson se Shqipëria e ka treguar edhe një herë, përkushtimin ndaj NATO-s. Kjo, duke kontribuuar me kapacitete njerëzore dhe ushtarake në Afganistan. Plot 4 mijë trupa, janë dislokuar aty në dy dekada qëndrim të amerikanëve.

Sipas kryediplomatit amerikan, investimi i Shqipërisë në sigurinë dhe prosperitetin e popullit afgan, ka ndihmuar shumë në avancimin e synimeve të të dy vendeve. Sakaq, evakuimi i afganëve dhe zhvendosja e tyre e mëpasshme, ende vazhdon.

Një tjetër aspekt i mirënjohjes amerikane për Shqipërinë, ka shkuar edhe për kontributin me personel në objektin e Bektel në Kosovë.

Ndërsa, ravijëzohet fakti se trupat shqiptare, ndihmuan në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe të sigurt për forcat amerikane dhe për popullin afgan.

“Prania e tyre ka bërë të mundur që Aleanca e NATO-s të kryejë operacionet e saj, tu mundësojë vajzave të reja ndjekjen e shkollës si dhe kanë bërë më të sigurt jetën e përditshme për shumë afganë”, shkruan Blinken.

Teksa në mbyllje, ai ka vlerësuar plotësisht marrëdhënien mes dy shteteve.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë thellë marrëdhënien tonë të ngushtë me Shqipërinë dhe mbetemi besimplotë në vazhdimin e këtij partneriteti strategjik për avancimin e interesave tona të përbashkëta”, përmbyllet letra.