Londër (AFP) – Britania nuk do të vajtojë për vdekjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani, tha Kryeministri Boris Johnson të dielën, megjithëse ai paralajmëroi se raprezaljet do të çonin në dhunë më të madhe.
Shtetet e Bashkuara vranë udhëheqësin e lartë ushtarak Soleimani jashtë aeroportit të Bagdadit në një sulm me dron të Premten.
Në ndërhyrjen e tij të parë për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme, Johnson tha se kishte biseduar të Dielën me Presidentin e SHBA Donald Trump, Presidentin Francez Emmanuel Macron dhe Kancelaren Gjermane Angela Merkel.
Ai tha se do të flasë me udhëheqësit e tjerë në ditët në vijim.
“Gjenerali Qasem Soleimani përbënte një kërcënim për të gjitha interesat tona dhe ishte përgjegjës për një model të sjelljes shkatërruese, destabilizuese në rajon,” tha Johnson në një deklaratë.
“Duke pasur parasysh rolin udhëheqës që ai ka luajtur në veprimet që kanë çuar në vdekjen e mijëra civilëve të pafajshëm dhe personelit perëndimor, ne nuk do të vajtojmë për vdekjen e tij.
“Sidoqoftë është e qartë se të gjitha thirrjet për hakmarrje ose raprezalje thjesht do të çojnë në më shumë dhunë në rajon dhe ato nuk janë në interesin e askujt.”
Johnson tha se pas takimeve ministrore dhe bisedimeve të mëtejshme ndërkombëtare, deputetët do të azhornohen për situatën të martën.
Ndërkohë Londra i ka kërkuar Bagdadit të lejojë ushtarët e koalicionit ndërkombëtar të qëndrojnë në Irak, ku parlamenti të Dielën i bëri presion qeverisë të largojë trupat e huaj.
Kabineti duhet të aprovojë çdo vendim të tillë.
Trupat britanike janë pjesë e një koalicioni ndërkombëtar forcash të vendosura në Irak – të ftuar nga qeveria e Bagdadit në vitin 2014 – për të ndihmuar në luftën kundër grupit xhihadist të Shtetit Islamik (IS).
Një zëdhënës i qeverisë britanike tha: “Koalicioni është në Irak për të ndihmuar në mbrojtjen e Irakenëve dhe të tjerëve nga kërcënimi nga Daesh (IS), me kërkesë të qeverisë Irakiane.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Irakut të sigurojë që koalicioni të jetë në gjendje të vazhdojë punën tonë jetësore kundër këtij kërcënimi të përbashkët.”
Rreth 5,200 ushtarë amerikanë janë vendosur në bazat rreth Irakut për të mbështetur trupat lokale duke parandaluar rilindjen e ISIS.