Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, i ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve të politikanëve për dhunë dhe trazira në protestën e opozitës nesër
‘U bëj apel të gjithë pjesëmarrësve në protestën e 16 Shkurtit në Tiranë që të protestojnë paqësisht dhe të dëshmojnë se janë të denjë t’i bashkohen familjes së Bashkimit Europian për të cilën ne shqiptarët ëndërrojmë që prej shumë vitesh. Veçanërisht u bëj apel protestuesve që të mos bien pre e atyre politikanëve që bëjnë thirrje për dhunë e shkatërrim’, shkruan Brozi ndër të tjera.
Sakaq, ai është shprehur se protesta duhet të jetë paqësore, pasi ashtu ajo është shprehje e demokracisë, ndërsa dhuna është në interes të politikanëve të korruptuar që po i tremben Reformës Në Drejtësi.
Zef Brozi, gjithashtu u ka bërë thirrje dhe forcave të Policisë që të mos bien pre e provokimeve gjatë protestës.
‘Protestat qytetare e paqësore janë shprehje e demokracisë, ndërsa dhuna e cfarëdo natyre qoftë është në interes vetëm të atyre politikanëve të korruptuar që po i frikësohen dhe duhet t’i frikësohen përditë e më shumë Reformës në Drejtësi. Ata duan ta sabotojnë edhe pranimin e Shqipërisë sonë të dashur në Bashkimin Europian. U bëj apel drejtuesve dhe forcave të policisë që të mos bien në grackën e provokimeve që mund të bëhen gjatë protestës, por të veprojnë me profesionalizëm e gjakftohtësi në respektim e zbatim të ligjit.’
Veritas.com.al/