KQZ ka lënë jashtë zgjedhjeve Sali Berishën. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vendosi sot regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” vetëm me pjesëmarrjen e PL, PDK dhe PBDNJ. Përfaqësuesi ligjor, Indrit Sefa kërkoi rrëzimin e kërkesës me argumentin se PD nuk ka bërë asnjë koalicion dhe se kjo marrëveshje është në kundërshtim me ligjin.
“Është i njëjti rast si në 6 mars 2022. Përfaqësuesi i PD z. Indrit Sefa konfirmoi këtu se Partia Demokratike nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje dhe nuk ka bërë asnjë koalicion“, tha Celibashi teksa njoftoi vendimin për regjistrimin e koalicionit pa Berishën.
Ndërkohë më herët gjatë mbledhjes, Sefa tha:
“Ju konfirmoj se është përdorur emri, karakteristikat dhe logo e PD. Neni 65 përcakton qartë nga persona të paautorizuar nga ky komision dhe nga ligji, kërkesë e domosdoshme e nenit është depozitimi i marrëveshjes. Komisioneri duhet të konstatojë që kjo marrëveshje është bërë në mashtrim të ligjit dhe të zgjedhësve. PD nuk ka asnjë kërkesë për koalicion.
Nuk e di se kush është subjekti zgjedhor, kush është drejtuar me një kërkesë që është në shkelje të ligjit. Komisioneri duhet të marrë masa ligjore për të vënë në vend këtë shkelje. Së dyti, kjo kërkesë duhet rrëzuar për sa kohë që marrëveshja është një dokument i domosdoshëm për paraqitjen në KQZ. Kjo marrëveshje nuk është e ligjshme ndaj kërkojmë që komisioneri të rrëzojë këtë kërkesë sepse është shprehur vullneti për PD nga persona të paautorizuar.”