Në këtë ditë zie kombëtare, le të bashkojmë lutjet tona dhe të shprehim solidaritetin me familjet që po përballen me tragjedinë e tërmetit në kufirin turko-sirian.

 

Ishte kjo thirrja e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

 

Ai shprehet se shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e Turqisë gjatë tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor 2019.

 

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbajnë një ditë zie në kujtim të atyre që humbën jetën në tërmetet Turqi-Siri.

 

Kryeministri Edi Rama tha se qeveria e tij po mbante një ditë zie “si shenjë dhimbjeje dhe lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe në kufirin turko-sirian” si dhe “një shenjë solidariteti me miken tonë Turqinë”.

Ndërkohë homologu i tij në RMV, Dimitar Kovaçevski, tha se “mendimet dhe lutjet e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut janë me të afërmit e atyre që humbën jetën” dhe u zotua se do të vazhdojë të ndihmojë të mbijetuarit, “ata që humbën gjithçka”.

Të dyja vendet do të ulin flamujt në gjysmështizë, ndërkohë që Rama u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të ndezin një qiri në solidaritet me viktimat.

Më 6 shkurt 2023, një tërmet i parë me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter, i ndjekur nga të paktën dy tërmete të tjera të mëdha, goditi Turqinë dhe Sirinë duke shkaktuar mijëra viktima.

Mijëra ndërtesa kanë pësuar dëmtime serioze, duke përfshirë shkollat dhe objektet e kujdesit shëndetësor dhe infrastrukturë të tjera publike si rrugët, aeroportet, portet, terminalet e naftës, linjat e energjisë elektrike, furnizimin me ujë dhe ujërat e zeza.

Janë regjistruar disa pasgoditje të rënda, të cilat kanë shkaktuar viktima dhe dëme të tjera.

Menjëherë u aktivizua Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

20 shtete anëtare të BE-së dhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë ofruar tashmë 31 ekipe kërkim-shpëtimi dhe 5 ekipe mjekësore nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.

Ekipet përbëhen gjithsej nga mbi 1500 shpëtimtarë dhe 100 qen kërkim-shpëtim.