Në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Edi Rama, komisioneri Oliver Varhelyi tha se rajoni mund të bëhet gati më shpejt për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

“Dua të ndaj një sekret. Ideja e planit të rritjes ka qenë kryesisht e konceptuar në Tiranë në diskutime te mëparshme që kemi pasur me kryeministrin Rama dhe liderët e tjerë të rajonit. Nuk është vetëm ide e BE, por ka qenë edhe ideja e të gjithë rajonit.

Ne po flasim se çfarë do të zbatojmë nga ky plan për këtë vit. Kjo punë po vijon dhe ne vijojmë dhe diskutimet se çfarë duhet të bëhet. Dita e sotme ka qenë dhe inkurajim i madh për të ecur para. Pritja për kamionët është hequr dhe mund të arrijmë të kursejmë edhe më shumë kohë.

Këto janë ato gjëra që njerëzit duhet t’i ndjejnë, t’i prekin dhe t’i shohin. Këto janë risitë e këtij plani. Europa është shumë burokratike, por mendoj se këtë herë ne kemi mundësi që të tregojmë përfitimet e drejtpërdrejta ekonomike të një vendi. Rajoni juaj mund të bëhet gati më shpejt për t’u bërë pjesë e BE. Këto vende po fillojnë që t’i aplikojnë këto rregulla që sot.”, tha ai.