Duket se ende pa nisur mirë sezoni veror, problemet me turistët në vendin tonë kanë nisur.
Mësohet se një grup turistësh, në afërsi të Majës së Jezercës, kanë kërkuar ndihmë pasi janë aksidentuar.
Dyshohet se njëri prej tyre ka ndërruar jetë, por është ende e pakonfirmuar për shkak të mungesës së kontaktit me ta. Në ndihmë të tyre janë nisur Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor të Shqipërisë, forca policie dhe banorë vullnetarë të Thethit dhe Valbonës.
Ngjitja në Majën e Jezercës, nga Thethi, kërkon një përgatitje shumë të mirë fizike pasi shkon deri në 8 orë ngjitje në një terren shumë të vështirë dhe njohje shumë të mirë të zonës. Një pjesë e madhe e turistëve të huaj, preferojnë të bëjnë ngjitjen pa guidë lokale.