Nga: Liza- Marica Fani/
Ky është mëkat që bën një parti, qoftë edhe Partia Demokratike, e cila u krijua bash si forcë për të luftuar mëkatin e partisë ateiste dhe dhunën e saj mbi njeriun, që ishte Partia komuniste. Shkencëtarja është Valentina Duka, historiane, ish- dekane e Fakultetit të Historisë e Filologjisë, deputete. Mëkatin e parë PD e bëri duke e nxjerrë profesoreshën nga ‘foleja’ e librave dhe e diturive mes studentësh e pedagogësh. E mori që nga ‘çerdhja’ dhe e vuri në rresht, pas disa deputetëve militantë që nuk dinë gjë tjetër veçse t’i binden shefit ‘për bukën e gojës’.
Tani i erdhi radha edhe Valentinës që të vihet në rresht dhe të ulërijë për ‘burgosjen’ e disave, këta të gjithë të prezumuar si kriminelë, si ‘të fortë’, si ‘të korruptuar’. Po se çfarë lidhjeje ka një studiuese, ose shkencëtare- le të themi- me këtë plan të shoqërisë, askush që është normal nuk e gjen.
‘Po lër ca të tjerë, thuajse deputetë halabakë, që të merren me burgjet dhe me të fortët, o shoku kryetar’.
Mirëpo kryetari, njësoj si paraardhësi, shoku Enver, do t’i çojë shkencëtarët në front, atje ku është armiku i klasës. Sa shkencëtarë, shkrimtarë, mjekë, studiues…, i dërgoi shoku i parë Enver në frontin e ‘luftës së klasave’. Në qoftë se nuk i shërbente partisë edhe në frontin e luftës, intelektuali nuk ishte intelektual- thoshte Partia. Sepse shkrimtarë e artistë e shkencëtarë ‘janë ndihmës të Partisë’.
Ja edhe sot. Partia ka treguar vigjilencë që asnjë intelektual, shkrimtar a shkencëtar të mos infiltrojë në radhët e lidershipit të Partisë. Por një studiuese që mori PD për të bindur popullin se ‘jemi parti shkencëtarësh’, ja ku e hodhi në luftën për burgje. Po sa nuk të ka lezet, profesoreshë Valentina, që thërret ‘të burgoset njeriu!’, qoftë edhe Dako, ose Deko, ose Luli e Berisha, ose Damiani, ose Shullazi, e ku ta dish.
Po kryetari rri në prapaskenë, i konsumuar plotësisht, dhe nxjerr ushtarët e vegjël të thërrasin ‘burg’. Po kur nuk je i zoti për gjë tjetër, me një shkencëtare pse tallesh, o shoku kryetar?!
Ja ngjarja që u bë lajm sot:
Deputetja e Partisë Demokratike, Valentina Duka përmes një deklarate për mediat ka sulmuar sërish qeverinë Rama, duke sjellë në vëmendje “dosjes 339” dhe përfshirjen e Vangjush Dakos në blerje votash në Durrës.
‘Sipas Dukës, shefi i qeverisë instaloi në të gjithë Shqipërinë skemën e vjedhjes së votave përmes të njëjtës skemë siç bëri me qytetin bregdetar të Durrësit. Ajo deklaroi se Dako ka zgjedhur të fshihet, por kjo shton ajo nuk e shpëton nga akuzat për dosjen e mësipërme”’…
A e mendoni dot që një grua të nxirret në front e të thërrasë ndaj një burri: “Eeej, mos u fshih, se fshehja nuk të shpëton”. Jo vetëm pse është thirrje mashkullore, por edhe e meshkujve halabakë.
Dhe Partia nxjerr një grua shkëncëtare që ta bëjë këtë….
Nuk mund të falet as shkencëtarja që e bën, edhe pse mund të ketë ndodhur për ‘bukën e gojës’ si dikur.
VERITAS.COM.AL/