Zëvendës/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, përmes video-lidhjes në samitin e Ohrit të “Open Balkan” u shpreh se ShBA mbështet plotësisht Ballkanin e Hapur si platformë për bashkëpunim dhe lidhje ekonomike të rajonit.
Por, se një nismë e tillë për të qenë e plotë, “ShBA beson se aty duhet të jenë të përfshira të gjitha gjashtë shtetet e rajonit në nivel të njëjtë”, tha Escobar.
Gabriel Escobar theksoi se Shtetet e Bashkuara e shohin Ballkanin Perëndimor jo për nga prizmi i problemeve të viteve të nëntëdhjeta, por të shekullit XXI, dhe drejt ndërtimit të së ardhmes.
Open Balkan është vetëm njëra nga iniciativat e mira të rajonit, tha Escobar, dhe se ShBA mbështet të gjitha nismat që kanë për qëllim lehtësimin dhe bërjen më të mirë të jetës së qytetatërve të rajonit.
“Ballkani i Hapur duhet të jetë i hapur për të gjithë, dhe secila iniciativë duhet t’i përfshijë të gjitha gjashtë shtetet në nivel të njëjtë”, u shpreh ai.
Escobar mes tjerash tha se “shpreson” që nisma e Ballkanit të Hapur të bëhet edhe më e qartë se si do të funksionojë në ardhmëri.
Gjithashtu tha ai, “duhet të shihet gjithashtu plani për zhvillim institucional”.