Ndërsa Berisha vijon luftën e tij për të marrë drejtimin e PD, si dhe synon të futet në zgjedhjet e 6 marsit, SHBA i jep goditjen e radhës. I dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Grabriel Eskobar thekson se një person i shpallur non grata për korrupsion nuk mund të jetë fytyra e një partie politike.
Escobar forcon edhe më tej qëndrimin kundër Berishës teksa thekson se nëse ai rimerr drejtimin e PD, atëherë nuk mund të presë marrëdhënie normale me SHBA.
‘Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor. Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie. Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale”, ka thënë ai në një intervistë për reporteri.net.