Burrë e grua, të moshuar, janë gjetur të pajetë ne fshatin Bodrishtë në Bashkinë Dropull.
Burime jo zyrtare thonë se të moshuarit kanë pasur shenja dhune në trup çka mund të thuhet se bëhet fjale për krim ndaj tyre. Të moshuarit janë Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe.
Policia ka shkuar ne vendngjarje ku po merret me hetimin e këtij krimi makabër. Paraprakisht dyshohet për grabitje, por kjo pistë mbetet për t’u konfirmuar nga ekspertët e grupit hetimor, pasi në vendngjarje nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, apo edhe çrregullime të orendive shtëpiake.
“Rreth orës 08:00, janë gjetur nga fqinjët, të pajetë, në banesën e tyre në fshatin Bodrisht, shtetasit 84 vjeç dhe 88 vjeçe (bashkëshortë). Nga këqyrjet paraprake të trupave të 2 shtetasve, janë konstatuar shenja dhune, dyshohet të shkaktuara me mjete të forta rrethanore.
Gjithashtu, nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar çrregullime të orendive.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe së bashku me grupin e posaçëm hetimor të ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet intensive për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”, thuhet në njoftimin e policisë.