Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehet se shkarkimi i kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë është urgjencë kombëtare. Ai shtoi se Kurti “po kërkon shpëtim te kriminelët në veri”.
“I zbuluar dhe i kapun në mashtrim. I humbur në qeverisje dhe i pashpresë për ekonomi, arsim e shëndetësi; I zhytur në korrupsion dhe i kapun në hajni; I pabesueshëm për aleatët euroatlantikë; I kapun në pabesi dhe i dënuar prej tyre, Kurti po kërkon shpëtim te kriminelët në veri; S’e shpëtojnë as ata, s’e ka drejtësi për të gjithë dhe ka për të pasur për popullin e shumëvuajtur të Kosovës edhe nga e keqja Kurti. Prandaj shkarkimi i Kryeministrit dhe Qeverisë, është urgjencë kombëtare!”, shkroi Haradinaj.
Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, serbët po protestojnë për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të futen në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë. Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.