![](https://veritas.com.al/wp-content/uploads/2025/02/Capture-32-1.png)
Analisti Ardit Rada foli sot në Report Tv lidhur me sondazhin parazgjedhor të Piepolit për qarkun e Tiranës dhe Durrësit, të shfaqur mbrëmë në ‘Frontline’.
Rada theksoi për Nertil Agalliun në ‘Sot Live në Shqipëri’, se gjetjet e Piepolit që thellojnë hendekun mes PS dhe PD janë të dukshme në terren.
Demokratët po largohen edhe më shumë nga PD, shton Rada edhe pasi në listat e PD-së do përfshihen edhe njerëzit e Ilir Metës.
“Dua të them që është tregues i realitetit, jemi dëshmitarë të fushatës elektorale, e shohim dhe të përkthyer në terren. Ka risi, për sa i përket partive të reja Mundësia dhe Lapaj. Kanë grumbulluar pjesën e larguar nga PD, opozita e Sali Berishës. Hendeku mund të thellohet dhe më tej. Edhe për faktin, jo vetëm për primaret, jo vetëm për pakënaqësitë që do prodhojnë primaret, por edhe për shkak të përfshirjes së Ilir Metës në listat e PD-së. Do i largojë demokratët nga PD-ja.’
‘Është fakt publik që njerëzit e PL do përfshihen në PD. Nga PD vetëm vitin e fundit kanë dalë 4 fraksione. Në këtë kuptim e gjithë kjo përçarje do reflektohet dhe në rezultate.’
Më tej, Rada foli mbi arrestimin e Veliajt, teksa e cilëson si goditje politike. Ndërsa vuri në dyshim të shkuarën e prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarit Erion Bani.
‘Kur shohim goditje të tilla në këto nivele, sigurisht kërkojmë të gjejmë të ngjashmit. Çfarë ka ndodhur më parë, si është sjellur gjykata. Ka një lloj prapavije politike. SPAK përpara presionit të opozitës është nxituar me kërkesën ndaj gjykatës. Me vendimin e Sali Berishës, shpjegohet nga GJKKO pse ia hoqi masën, se jemi përpara zgjedhjeve. Nëse Berisha ishte 6 muaj para zgjedhjeve, po Veliaj që është 3 muaj para zgjedhjeve. Jam shumë skeptik për provat e siguruara. Ka një nxitim nga të gjithë palët për ta bërë pis Veliajn prag zgjedhjeve dhe për ta goditur politikisht.’
Rada mendon se ka hije dyshimi se elementë të lidhur me Berishën dikur janë pjesë e SPAK.
‘Kërkojmë që standardi të ruhet për të tërë dhe SPAK të ketë efektivitet për çdo çështje. Shoh përplasje dhe inat dhe mllef nga SPAK, besoj se ka të bëjë me kompleksi që i ka krijuar opozita. Ka hije dyshimi se në SPAK ka elementë që falen te Sali Berisha. Pastaj dhe karriera e dyshimtë e prokurorit dhe gjyqtarit, punësimi në administratën e Berishës.’
Komente