Presidenti i Serbisë, Alesandar Vuçiç ka thirrur në seancë urgjente Këshillin e Sigurisë Kombëtare të martën në orën 10:00. pas vendimit të Kosovës për ndalimin e mjeteve me targa serbe.
Sipas mediave serbe, tema kryesore e sesionit do të jetë vendimi i fundit për heqjen e targave në mjetet serbe nga autoritetet në Kosovë.
Një reagim rreth zhvillimeve të fundit ka ardhur dhe nga drejtuesit e Listës Serbe të cilët kanë ardhur sot në mëngjes në vendkalimin kufitar të Jarinjes “për t’u dhënë mbështetje serbëve”.
Sot në orët e mëngjesit janë shtuar forcat policore në pikat kufitare me Serbinë për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur për vendimin e vendosjes së tabelave të përkohshme RKS për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë me tabela tjera, e sidomos nga Serbia.
“Si kryeministër ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serb, nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë qytetarëve serb apo të provokojnë çfarë do destabilizimi. Pres nga të gjithë ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, sot po fillon zbatimi i një marrëveshje me të cilën është pajtuar edhe Serbia”, tha Kurti.