Ish-kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se AAK-ja e përkrah mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, që e ka nisur LDK-ja si partnere e koalicionit qeverisës.

Haradinaj thotë se gjendja nuk duhet të mbetet pezull, pas nismës së LDK-së për ta rrëzuar Qeverinë e Albin Kurtit, transmeton Gazeta Express.

“Meqenëse ka një mocion, nuk duhet që gjendja të mbetet pezull”, tha Haradinaj.

Ai thotë se në takim është folur vetëm për mocionin, ndërsa paralajmëroi takime të tjera me Mustafën.

“Nuk kemi dizajnuar hapat e mëtutjeshëm, jemi ndalur te mocioni. Do të ketë edhe takime të tjera”.

“Nuk e di”, ka thënë Haradinaj kur u pyet se a do të bëhej pjesë e një qeverie teknike.

Ish-kryeministri që ka vënë tarifën ndaj produkteve serbe është pyetur për arsyet që LDK-ja përmendi si shkas për rrëzim të Kurtit e që është mbajtja e tarifës. Haradinaj thotë se Kurti e ka hequr tarifën dhe i ka prishur raportet me Amerikën për të.

“Qeveria Kurti e ka hequr taksën në mënyrën më të keqe. Në mënyrën më të mirë i ka shërbyer Serbisë duke e lënë Kosovën pa miq por edhe pa taksë”, tha Haradinaj,

“E ka hequr taksën duke mos biseduar me aleatë tanë, por duke e copëtu atë dhe duke i bërë favore Serbisë”.

“Kosova nuk ka pasur qeveri më konfliktuoze me veten dhe me të tjerë. Dhe, kjo Qeveri e mori epilogun e duhur. Por e mori në momentin më të keq. Është një lloj dezertimi i z. Kurtit nga përgjegjësitë e tij”, përfundoi ai.

Për takimin me Musafën, Haradinaj shkroi edhe në Facebook për të treguar se partia e tij e voton mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

“Sot takova ish-Kryeministrin dhe Kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa për të diskutuar Mocionin e Mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. E informova z. Mustafa se AAK do të votojë për këtë mocion, sepse Qeveria Kurti jo vetëm që do të jetë Qeveria më jetëshkurtër, por edhe më e dëmshmja për Kosovën. AAK përkrah një zgjidhje të shpejtë pas rrëzimit të Qeverisë përbrenda institucioneve të vendit”.

VERITAS.COM.AL/