Ndërsa prezantoi emrat e 12 drejtuesve të policisë në qarqe, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ishte i qartë në porositë dhe objetivat e tyre.

“Drejtuesit që sot marrin detyrën, janë përzgjedhur për kompetencën dhe aftësinë e tyre, por edhe për integritetin e figurës, për të cilin është bërë një qëmtim i veçantë në bashkëpunim me organet përkatëse ligjzbatuese.

Siguria e lartë nuk është vetëm një ambicie, por një e drejtë e çdo qytetari dhe komuniteti në Republikën e Shqipërisë, pa harruar miliona vizitorët e huaj, që tanimë janë pjesë e jetës së përditshme të shqiptarëve anembanë vendit.

Drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit do të sigurojnë praninë e strukturave të rendit në çdo cep të Shqipërisë, forcimin dhe lidhjen me qytetarët e me komunitetet dhe reagimin e shpejtë ndaj ngjarjeve kriminale, të mëdha a të vogla. Për shembull një nga ngjarjet si ajo e javëve të shkuara në Shkodër, duhet zbardhur plotësisht dhe autorët duhet të shkojnë prapa hekurave sa më shpejt.

Rënia e numrit të vrasjeve vit pas viti, duhet të vazhdojë drejt normalitetit mesatar të policive europiane, por ne duhet të synojmë edhe më shumë se sa kaq, sepse asgjë nuk na pengon të shkëlqejmë në këtë drejtim në rrugën tonë. Por edhe çdo ngjarje e vogël, që nuk bën lajm e bujë, por që cenon sigurinë e pronës dhe qetësinë e qytetarëve apo familjeve, duhet të marrë vëmendjen e duhur nga Policia e Shtetit.

Në këtë sens duhet të marrin fund praktikat e shqetësimit të qytetarëve në fshat, që ngacmohen nga punonjës të papërgjegjshëm të policisë për riparimin e një palë shkallëve ose një avllie, ndërkohë që Policia e Shtetit ka mision tjetër dhe fokusin e saj duhet ta përqendrojë në rastet e abuzimeve të pajustifikueshme në zonat turistike, shtretërit e lumenjve apo rrugët e vendit, ku çdo ndërhyrje e paligjshme e çdo natyre përbën një vepër penale.” tha zoti Hoxha.