Nga Ardit Rada

Një ditë para Samitit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sali Berisha deklaroi se Tirana do të lebetitej nga protesta e 6 Dhjetorit. Dy ditë më parë, duke u përpjekur të justifikonte prekjen e mundshme të perimetrit të sigurisë, tha: “Në vendet e BE ndodhin protesta, madje ka raste që liderët evropianë sulmohen me vezë apo bojë”. Se kush u lebetit dhe kush u sulmua, e treguan orët në vijim. Karma bëri punën e saj.

Pas ngjarjes që tronditi vetëm Berishën dhe sigurimin e tij personal një lumë hipokrizie vërshoi në rrjetet sociale dhe në ekranet e mbrëmjes. Gjeje aty vajtonjës, moralistë, të dëshpëruar dhe të “çuditur” sesi sulmohet një burrë plak që mezi mbahet në këmbë. Këto qëndrime i bëjnë hipokrikte dy faktorë. Së pari, ky “burri plak” ka 30 vjet nëpër këmbë, në çdo fushë të jetës së shqiptarëve. Nuk ishte një pensionist i zakonshëm që e rrahu një narkoman në lulishte.

Së dyti, ku janë këta moralisë kur ky i moshuari fjalën e fundit e thotë të parën falë “lirisë së shprehjes”? Fjala bie, ku ishin kur ky ‘viktima’ 10 vite më parë kërcënonte deputetët e opozitës së atëhershme se do t’ua bënte fytyrën më të zezë se këpuca? Apo kur vetë doli në opozitë dhe bënte thirrje që të vriteshin inspektorët e aksioneve të OSSHE, UKT dhe IKMT që luftonin informalitetin? Më konkretisht, duhet të mbetet e paharruar deklarata e tij në prill të vitit 2016, që për turp heshtën edhe ambasadat, edhe shteti. Ai tha publikishit në atë kohë në Parlament se:

“Iu bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që për sigurinë e tyre të armatosen! Të sigurojnë armë për të mbrojtur veten, shtëpitë, pasuritë e tyre. Nëse ju si organizatë kriminale (qeveria) mendoni të terrorizoni opozitën me bandat tuaja (policinë) të jeni të sigurt se opozita është e gatshme t’jua kthej ju që të mos gjeni vrimë ku të futeni. Të armatosen, siç armatosen amerikanët”.

Për fat të keq, jo vetëm analistët shëtitës dhe njerëzit e internetit heshtën për këto, por sot kërkojnë “të zbardhet e vërteta” për grushtin që e palosi në tokë nxitësin e çdo akti dhune në këtë vend. Autorin apo aktorin e çdo vdekjeje të shkaktuar nga shteti dhe papërgjegjshmëria e tij. “Plakun” që dogji në Gërdec edhe fëmijë. Të moshuarin që sa të jetojë me soj e sorrollop do t’i përmendet 97-a dhe Otranto. Remzi Hoxha që e zhduku kushedi se ku. Djegia e mediave dhe gjymtimet e gazetarëve. Katër viktimat e 21 Janarit dhe veto e tij dhe e Policisë së tij për të mos zbatuar urdhrin e Prokurorisë për të dorëzuar autorët e vrasjeve. A e keni pyetur ndonjëherë veten, ç’i do Sali Berisha badigardët që i paguan privatisht 10 vite pasi ka rënë nga pushteti?

Çuditem si habitet “i moshuari” që 24 orë para grushtit na foli sesi sulmohen liderët kudo në Perëndim. Berluskoni, i cili në konferencë për shtyp në 2010 i kërkonte femra të bukura nga Shqipëria, hëngri një statujë turinjve në Milano. Macronit i janë stampuar në fytyrë shuplakat e qytetarëve disa herë. Xhorxh Bushin që e ka idhull, ia fluturuan këpucën kokës. Ronald Reganin, për të cilin thotë se e lexon dhe ka rol kryesore në formimin e tij si antikomunist, e qëlluan dhe e shtrinë përdhe. Për të mos folur për Gaddafin që mbante marrëdhënie zyrtare, që e tërhoqën zvarrë derisa shkoi në esfel.

Nuk them të mos ndëshkohet autori. Është një vepër penale që e parashikon ligji dhe ‘apeli’ i të moshuarit që u dhunua nuk duhet të dëgjohet. Sepse është i pasinqertë edhe kur e rrahin. Kërkoi të falet autori pasi e masakruan atë në shesh dhe e morën peng në selinë e PD-së. Siç merrte pengje 25 vite më parë kur i drejtonte vetë me SHIK e me Polici pa uniforma, por të veshur civilë me terital e deve. Kërkoi të falej, jo duke u shprehur se ishte i sëmurë, por duke u thelluar në fantazinë e tij të shfrenuar se ai që e qëlloi është agjent policie i paguar nga paratë e drogës. E “fali”, siç fali Ramiz Alia atentatorët e tij në 1983 në Kukës. Ndaj për inat të Sali Berishës, ai djali duhet mbyllur në burg. Edhe për të zbatuar ligjin, edhe për t’i shpëtuar jetën nga njeriu që mbjell veç hakmarrje edhe nëse të sheh keq në ëndërr.

Tani, pyetja kryesore qëndron për Ilir Metën, çunin e Pazarit të Ri, që i bie më të fortit dhe e thyen në mes. Ku ishe ti, kur ta hodhën knock-out pikën tënde të dobët? Pse nuk ndërhyre?