Arsyeja? Janë të dyshuar si përgjegjës për sulmin kibernetik të ndërmarrë ndaj sistemit qeveritar më 15 korrik 2022, me urdhërues Shërbimet Sekrete iraniane MOIS, si edhe për sulmin e dy muajve më pas në Shqipëri, i cili u ndërmor ndaj sistemit TIMS.

Shqipëria, e ka mbajtur Teheranin përgjegjës për të dyja ngjarjet dhe për shkak të së parës, ka ndërprerë në mënyrë unilaterale raportet diplomatike mes vendeve, duke dëbuar diplomatët iranianë në Tiranë.

Ndaj të tre këta eksponentë, nuk rëndojnë vetëm akuza për aktet ndaj Shqipërisë, pasi këto janë thjesht të fundmet.

Amerikanët, dyshojnë se tre hacker-ët janë të përfshirë në sulme kibernetike të ndërmarra edhe në SHBA, kryesisht në sisteme lokale të Mississippi-t dhe Indiana-s.

Akuzat nuk e përcaktojnë nëse të tre ata kanë punuar apo nën tutelën e Qeverisë iraniane, por në një raport të bashkëngjitur, bëhet me dije se ata janë të atashuar pranë Gardës Revolucionare Islamike, e cila është praktikisht një forcë iraniane në çështjen e sigurisë dhe inteligjencës.

Këtyre sanksioneve, u është bashkëngjitur edhe një masë direkte ndaj Ministrisë së Inteligjencës iraniane dhe ministrit përgjegjës për këtë dikaster, për shkak të sulmeve në Shqipëri.

Në rrugë të tjera nga inteligjenca amerikane ndërkohë, është bërë me dije se të tre, si Ahmadi, Khatibi dhe Nikaein, janë shtetas iranianë, të cilët janë të punësuar në kompani të mëdha teknologjike, të cilat operojnë në Iran.

Kjo mendohet se është thjesht një detyrë kamufluese, për aktivitetin e tyre të vërtetë.

Pjesë e sanksioneve amerikane, janë bërë 10 persona dhe dy entitete, për rolet në kryerjen e akteve keqdashëse kibernetike, ku përfshihet edhe ai ndaj Shqipërisë.

Washingtoni, është zotuar se do të godasë Iranin fuqishëm për sulmet ndaj Shqipërisë dhe do të operojë së bashku me Tiranën për zhbërjen e çdo sulmi të mundshëm.

Vendimi për shpalljen e tre emrave në atë listë dhe dhënia e shpërblimit prej 10 milionë dollarësh për informacione, është qartazi në ndjekje të rrjedhës politike mbështetëse për Shqipërinë në këtë aspekt, duke qenë se dyshimet bien mbi përfshirjen e të tre hacker-ëve në sulmin ndaj Tiranës.