Frrok Çupi
Brenda pak ditësh na janë përplasur fytyrës tri humbje të mëdha:
E para, humbja e luftës në Kosovë që kishte fituar në vitin 1999. Gjykata Speciale në Hagë tani më shfaqet si spitali ku po dërgohen komandantët dhe ushtarët e Luftës, të asaj lufte që krijoji të vetmin shtet të ri në dy shekuj.
E dyta, humbi Amerika. Jo pse humbi Donald Trump (nëse kjo del e vërtetë), por sepse bota po shikon ‘mbretin lakuriq’. Amerika nuk humbi për vete, më shumë humbi për ne; ne tani e tutje nuk kemi një ‘xhami ku falemi’.
E treta, fitoi socializmi që e patën quajtur të humbur përgjatë shtatë dekadave.
Me të tre humbjet kolosale të fundit, popujt kanë fituar një gjë: Kanë mësuar se e kaluara, papritur, kthehet në një vaskë gjigande ku lahen krimet e fajtorëve dhe ku viktimat rrinë përbri dhe këqyrin të pazonja për të dalë nga trauma. Kjo është shumë afër nesh, ose është krejt ajo që ndodh me ne për çdo ditë. A nuk po presim SPAK-un që të na vijë të zbrazë ‘vaskën’ ku po lahen krimet e 30 vjetëve?! Ne po presim, por po presin edhe ata që po lahen në vaskë që të ndryshojnë kohët për ta: Ata fitojnë, ne humbim!. Përderisa humbën të fituarit e Luftës Çlirimtare në Kosovë, përderisa Amerika humbi prej syve tanë, përderisa socializmi që dukej i mundur u kthye botërisht…, atëherë çfarë shpresojmë?!
Çfarë ndodhi në Ballkan ku fitimtari u kthye në humbës, por edhe humbësi nuk fitoi ndonjë gjë të madhe? Nuk mund të them se atëherë fitoi thjesht Kosova dhe humbi thjesht Serbia; ky do të ishte vështrim shumë i ngushtë. Në vitin 1999 fitoi e drejta e një kombi, domethënë fitoi përgjigja e pyetjes ‘pse popujt shkojnë në luftë?’. Kosova fitoi të drejtën për të ‘djersitur’ në punën e ‘hamallit’ për ndërtimin e shtetit të ri. Nga të përfolur si ‘komb jo shtet- formues’ kishim marrë të drejtën historike për të thënë se në një shekull e gjysmë ‘jemi kombi i vetëm’ që morëm të drejtën për shtet të ri. Sigurisht, këtë nuk e kemi humbur, por po humb shkëlqimi i fitores. Madje edhe Serbia po humb një gjë të madhe, sipas traditës Ballkanike: Po humb të drejtën për të qenë e gëzuar pse ‘armiku im’ (Kosova), është një shtet i bukur! Këtu ka ndodhur që fitimtari ka kujtesë të ndryshme nga humbësi, dhe vice- vërsa, për të njëjtën gjë. U desh vetëm një sekondë që dikush që përgjonte shtetin e ri, të kthente gjithë rrotën e historisë dhe t’i dërgonte kosovarët në burg. Qëllimi mund të jetë ndezja e një konflikti të dytë.
Po shkëlqimi i Amerikës po bie?
Mes nesh, që sot, ata që nuk e duan Amerikën, ata janë superiorët. Madje mund të kthehen në superiorë edhe ‘zyrtarët e mëdhenj’ të krimit për të cilët po ndërtohej burgu i Reçit. Gazetarët që kanë shkruar kundër tyre dhe prokurorët që kanë mbushur dosjet, mund të jenë më të rrezikuarit. Në subkonshin e tyre ‘peshqit’ mund të jenë duke thënë ‘hë mo!, ku e keni Amerikën!? Apo doni të vidhni vota edhe ju?…’. U deshën vetëm pak sekonda, aq sa u mor vesh se 80 milionë votues me postë i morën fletët e votimit pa i porositur (Fox News sot), ose që të merrej vesh se boksieri Joe Freizer (vdekur në 7 nëntor 2011) ka votuar në 2020 në një qendër votimi në Pansilvani. Sipas të dhënave të mediave, 21 mijë të vdekur kanë votuar vetëm në këtë shtet… Atëherë çfarë të bëjmë me Altarin? Misionari katolik italian, At Domeniko Pazi pat shkruar për vuajtjet e njerëzve se ku të ngrinin altarin. Ai shikonte varfëri dhe nuk gjente vend për altarin…, ku?
Ndërsa socializmi, me sa duket, po mbulon prapë globin. Përderisa sot media në Shtetet e Bashkuara (Fox News, edhe kjo thuajse e majtë) po tronditej pas një interviste të zonjës Nancy Pelosi, kryetare e Dhomës së Demokratëve. Gazetarët e kishin pyetur nëse do ta denonconte socializmin që tashmë është kthyer në pjesë të ideologjisë dhe anëtarësisë së Demokratëve, por ajo nuk ka pranuar. Në vitin 2019 ajo e kishte denoncuar fort, por atëherë e majta ekstreme ende nuk kishte hyrë në partinë e saj. Rasti nuk është i vetëm, por është thjesht kulmor, pasi ndodh në një nga shtyllat e politikës amerikane. Por në botë, edhe në Perëndim, qeveritë dogmatike e demagogjike po rrënjosen më thellë. Duket si paradoks, sepse ne kemi shikuar pa pikë dyshimi andej nga Perëndimi për të gjetur jo socializëm…, por ja që ndryshoi puna. Socializmi tani është fitimtar. A ndodhi papritur?
… Nuk është nevoja që të përpiqesh shumë që ta marrësh një perandori, ka një ushtri skllevërish që e bëjnë këtë, thuhet në një saying të lashtë/ Veritas.com.al/