KOMENT/ Kruja ishte ndalesa e radhës e kryedemokratit Lulzim Basha. Në Krujë kryetari i PD u ndodh para të papriturës; ai mendonte se të gjithë vetëm do ta brohorisnin dhe ta përkëdhelnin. Por ata para se të vinin në miting kishin qëndruar me orë të tëra në dilema. Dilemat vijnë nga fakti se është provuar që Basha i shet mitingjet dhe militantët e vet; me këto mitingje ndërton pushtet dhe përfitime për vete, si në Maj 2017.

Para se t’i përgjigjen ftesës për të marrë pjesë në protestën e 16 shkurtit, krutanët i kërkuan Bashës garanci se nuk do të bëjë më marrëveshje me Edi Ramën. Kryeopozitari u zotua se nuk do të ketë 18 maj të dytë.

Megjithatë militantët përsëri nuk besojnë. Ata mund të garantohen se nuk i tradhëton vetëm ‘nëse nuk takohet kurrë me Ramën’.

“Mos i jep më dorën Edi Ramës. Premtoi shqiptarëve dhe krutanëve”, tha një banor.

“Këtu në shesh të Krujës ua premtoj, ajo marrëveshje u bë një herë për të garantuar votën, ai e shkeli. Nuk do të ketë më”, premtoi Basha.

Edhe banorët e Krujës dhe Fushë-Krujës Basha i njohu me planin ekonomik të Partisë Demokratike, për taksa të ulta dhe punësim. Por, më parë, tha kryedemokrati, duhet të largohet Edi Rama.

“Prej 5 vitesh e kemi thënë përpara Bashkisë së Krujës që është monument i kriminalizimit. Tani po e thotë Bota se Edi Rama dhe qeveria e tij janë produkt i krimit dhe jo votës së shqiptarëve. S’kam shumë fjalë për t’ju thënë në 16 shkurt, koha për fjalët ka mbaruar, merrni fatin më 16 shkurt në Tiranë”, deklaroi Basha.

Paralelisht me turin e takimeve të kryetarit, demokratët kanë nisur protesta në disa qytete të Shqipërisë. Rrethrrotullimi i Milotit u bllokua për disa orë, ndërsa në Bulqizë opozita mbështeti protestën e minatorëve për kushte më të mira pune.

Veritas.com.al/