Ministri i Jashtëm i Rusisë, lavrov ka thërritur sot ambasadorin e Shqipërisë në Moskë, ku i ka komunikuar se dy diplomatë shqiptarë shpallen ‘a non grata’ dhe se duhet të largohen menjëherë drejt Shqipërisë.
Pas dëbimit të dy diplomatëve shqiptarë nga Rusia, ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Me anë të një deklarate për mediet, ministria shprehet se reagimi i Moskës nuk përbën surprizë, dhe kjo ishte diçka që pritej.
“Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Moskë u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse. Gjatë takimit, Ambasadorit i’u komunikua shpallja “non – grata” e dy diplomatëve shqiptarë të akredituar në Federatën Ruse. Reagimi i Moskës nuk përbën surprizë për ne. Vendimi i marrë prej nesh pak ditë më parë në lidhje me dy diplomatët Rusë, i bashkërenduar me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë ishte proporcional ndaj sulmit kimik në Salisbury. Theksojmë se kanalet tona diplomatike mbeten të hapura në funksion të marrëdhënieve konstruktive dypalëshe, paqes dhe sigurisë”- shprehet MEPJ
Mësohet gjithashtu identiteti i dy diplomatëve shqiptarë të dëbuar nga Rusia
Burime diplomatike bëjnë të ditur se diplomatët që do të largohen nga Rusia janë Arben Doçi, këshilltar pranë Ambasadës shqiptare, dhe Albert Jerasi që mban funksionin e zv.Ambasadorit.
Vendimi i Rusisë vjen si kundërpërgjigje ndaj Shqipërisë, e cila pak ditë më parë dëboi dy diplomatë rusë, duke iu bashkuar vendeve të NATO-s dhe BE-së në këtë vendimmarrje.
Veritas.com.al/