Dy persona janë arrestuar në Tiranë pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi kokaine dhe një armë zjarri pistoletë. Policia thotë se arrestimi i tyre është kryer në zonën e Ish-Bllokut në kryeqytet, ndërkohë kanë nisur hetimet për të zbardhur veprimtarinë e tyre.

Njoftimi i Policisë: 

Me armë zjarri pistoletë dhe kokainë, në automjet, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, krehri me municion luftarak dhe një sasi kokaine. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për dy shtetas që lëviznin me armë zjarri në automjet, në zonën e Ish-bllokut, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Double”.