Komiteti Teknik i Ekspertëve ka zhvilluar mbledhjen e radhës për të raportuar mbi gjendjen e infektimeve të reja me COVID-19 dhe hyrjen e mundshme të variantit të ri Omicron në Shqipëri.

Zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deklaroi se deri më 31 dhjetor do të duhet të vaksinohen të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare – pas studentëve dhe mësuesve.

Nga data 4 janar do të kërkohet karta e vaksinimit për secilën nga këto kategori.

Për ata punonjës që nuk janë vaksinuar do të kërkohet prova e testit PCR negative çdo 5 ditë.

Zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli

Ndër të tjera, Rakacolli ravijëzoi se çdo shtetas mbi 18 vjeç mund të bëjë dozën e tretë të vaksinës – nëse ka kaluar 6 muaj nga dozimi i fundit.

Më tej, nga data 3 dhjetor nuk do të lejohet të hyjnë shtetas që në historikun e fundit 14-ditor të udhëtimit të tyre e kanë pasur në një nga pesë shtetet e Afrikës: Afrikë e Jugut; Kenia; Angola; Zambia; Botswana dhe Senegal.

Fillimisht Rakacolli, sqaroi për publikun se varianti i ri ka rreth 50 mutacione në përbërjen e tij.

Rakacolli zbuloi se Komiteti ka ndjekur me vëmendje masat e ndërmarra nga qeveritë e tjera lidhur me situatën epidemiologjike nga varianti Omicron.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Prof. Dr. Silva Bino

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Prof. Dr. Silva Bino, shtoi se në javët e fundit është rritur mbulesa vaksinale në Shqipëri.

Bino nënvizoi se në vendin tonë nuk është regjistruar një rritje e infeksioneve të reja.