Në selinë e Partisë Demokratike po tentojnë që t’i rikthehen normalitetit, pas akteve të dhunshme që erdhën nga vetë demokratët në ‘dirigjimit’ e Sali Berishës! Sot, punonjësit e pastrimit “i kanë hyrë me themel” godinës duke “zhdukur” çdo gjurmë që la protesta e 8 janarit. Si një ditë e hëne, në zyrat e selisë qendrore do duhet të ishin demokratë, por sot aty ndodhet vetëm sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi që po ndjek nga afër punimet me qëllim rikthimin sa më shpejt të normalitet.
Ndonëse situata në godinë po i kthehet normalizimit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për zhvillimet politike, ku të dyja palët nuk kanë lëshuar pe nga qëndrimet e tyre. Sali Berisha ka paralajmëruar protesta të tjera, e ndërsa Lulzim Basha ka hedhur ndaj ish-kryeministrit akuza të rënda duke thënë se ka kërkuar që të derdhet gjak mes demokratëve, por për fatin e mirë nuk ndodhi. Basha shtoi se ai është aty për t’ua ndërprerë vallen oligarkëve, që janë aleatë të politikës së trekëndëshit të Bermudës (Rama-Berisha-Meta), të cilët duan që të zhvendosin vëmendjen nga problemet e vërteta që kanë shqiptarët.
N 8 janar, mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha sulmuan seline e Partisë Demokratike. U desh ndërhyrja e policisë, që situata të vihej nën kontroll në pak minuta, pasi por rrezikohej seriozisht jeta e deputetëve që ndodheshin brenda selisë si dhe kreut të PD-së Lulzim Bashës.