Nesër PD dhe LSI do të zhvillojnë protestën një-mujore politike përpara selisë së kryeministrisë, në orën 18:00 të pasdites, dhe është menduar që të qëndrojnë natën. Kjo do të jetë protesta e tretë para kryeministrisë dhe e teta në total e organizuar nga PD-ja me LSI-në duke numëruar edhe tubimet para parlamentit gjatë seancave plenare.
Ish deputete e PD, Tabaku, sot ka deklaruar se ‘nuk do të ketë çadër’ si dy vjet më parë. Por pikërisht kjo deklaratë duket se tregon se do të ketë çadër si dy vjet më parë.
Për protestën e nesërme, policia ka filluar marrjen e masave konkrete:
Kamera sigurie, dron, agjentë civilë, mbi 1500 efektivë policie, automjete të hedhjes së ujit si dhe garda e republikës do të jenë të angazhuar si plan i masave për të monitoruar dhe ndërhyrë në çdo moment nëse protesta e opozitës do të bëhet e dhunshme.
Paraditen e sotme janë pastruar kamerat e sigurisë për të pasur një fokusim të qartë, për të shmangur ngjitjen e protestuesve shtyllat janë lyer me graso, ndërsa është vendosur mbrojtësja te dera e jashtme e Kryeministrisë, si dhe rrethimi me gardh metalik.
Pritet që policia të bëjë edhe bllokimin e qarkullimit në rrugën ‘Ismail Qemali’, ‘Ibrahim Rugova’ lidhje me bulevardin, ura e Lanës nga ministria e Brendshme deri tek Presidenca.
Opozita kërkon largimin e qeverisë Rama, kërkon qeveri kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Veritas.com.al/