Shqipëria të vijojë rrugën e ndjekur drejt familjes së vlerave evropiane, më këmbëngulje dhe durim, dhe me zemrën e madhe pro Evropës ishte mesazhi i kreut të shtetit të Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier,në vizitën e para e një kreu të shtetit gjerman pas 27 vitesh në Tiranë.

Duke pasur parasysh historinë tuaj, është emocionuese që Shqipëria e lirë kërkon t’i bashkohet familjes së vlerave të Evropës. Zemra juaj jeton dhe rreh në mënyrë evropiane, dhe kjo do t’ju ndihmojë në kapërcimin e pengesave në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ju lutem vazhdoni në këtë rrugë me këmbëngulje dhe durim të mëtejshëm deri sa ky proces pasi siç thotë një shprehje e bukur ‘kur ke zemër ke edhe krah’”, tha Presidenti gjerman duke mbajtur një fjalë historinë në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga foltorja e parlamentit shqiptar, Presidenti i Republikës Federale Gjermane, Frank-Walter Steinmeier i bëri thirrje opozitës dhe qeverisë të punojnë së bashku përtej llogoreve politike për destinacionin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Europian. Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë e vuri edhe theksin tek reforma në drejtësi, ku tha se duhet të çojmë përpara këtë proces.

“E di që rruga e Shqipërisë në BE do të vijojë të jetë ambicioze. Punoni më tej në luftën ndaj pengesave, smbrapsjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën në drejtësi. Ju dëshironi një të ardhme të mirë për Shqipërinë dhe vendi juaj do të jetë vend i besueshëm”, tha ai.

Presidenti gjerman ka mbërritur mëngjesin e ditës së sotme në Tiranë dhe u prit me ceremoni zyrtare nga Presidenti Begaj. Ceremonia nisi në orën 10:00, ndërsa mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Steinmeier tha se Gjermania do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë dhe do ta mbështesë vendin tonë në rrugëtimin europian.  Ai bëri thirrje sot opozitës dhe qeverisë të bëhen bashkë në luftën kundër korrupsioni, krimit, si rruga më e duhur, drejt destinacionit për anëtarësim në Bashkimin Europian.

 “Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe firmosja e marrëveshjeve para 1 muaji për lëvizshmërinë, krijon premisa për marrëveshje të reja në të ardhmen. Vitin tjetër Samiti i Procesit të Berlinit zhvillohet në Tiranë. Kjo tregon se qeveria shqiptare është e angazhuar në këtë process”, tha Begaj.

“Kam respektin maksimal të angazhimit si anëtare e Këshillit të Sigurimit, brenda OKB-së, në një periudhë jo të lehtë. Gjermania e ka shoqëruar Shqipërinë prej fillimit në përafrimin me BE-në dhe ka kontribuar brenda mundësive të saj në përforcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e tyre. Shpresoj që shumë shpejt Shqipëria të bëhet edhe pjesë e BE-së edhe në dimensionin formal të tij”, u shpreh Begaj.

I pyetur për dialogun Kosovë-Serbi, Begaj tha se është i mirëpritur propozimi franko-gjerman apo i Brukselit. Steinmeier foli për përshkallëzimin e konflikteve dhe për rolin e mikut të tij Lajcak.

“Çdo kontribut që sjell uljen e përshkallëzimit të konflikteve është i mirëpritur. Respekt për kolegun e mikun tim, Lajçak, që e ka shndërruar në mision të tij normalizimin e dialogut”, tha Presidenti gjerman.

Steinmeier do të qëndrojë dy ditë në Tiranë, deri më datë 2 dhjetor. Sot ai ka zhvilluar një takim edhe me Kryeministrin Rama dhe kryetarin e bashkisë Veliaj, ndërkohë që e veccanta ishte se ai zhvilloi homazhe në nder të të rënëve shqiptarë në luftën e Dytë Botërore. Në Varrezat e Dëshmorëve vendosi një kurorë me lule.