Zoran Zaev nuk do të jetë në takimin e radhës në kuadër të Open Balkan. Edi Rama, po. Zaev do të zëvendësohet nga Nikolla Dimitrov.
Gjithçka ka ndodhur në 24 orë dhe asgjë ende nuk është e sigurt, përtej faktit se takimi i radhës në kuadër të nismës Open Balkan, do të zhvillohet në Beograd, edhe nëse do të ketë vetëm pjesëmarrjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe presidentit serb, Alexander Vuçiç.
Dorëheqja e Zoran Zaev nga posti i kryeministrit pas zhgënjimit elektoral në raundin e dytë të lokaleve maqedonase, e ka ndërlikuar çështjen Open Balkan.
(Zoran Zaev deklaron dorëheqjen nga posti i kryeministrit)
Gjithë nisma, mund të vihet përballë pikëpyetjeve.
Zyra e Shtypit e Kryeministrisë shqiptare, e ka konfirmuar pjesëmarrjen e Ramës 24 orë përpara takimit.
Pavarësisht se është deklaruar se nga pala maqedonase do të ketë një përfaqësues, pjesëmarrja e zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov, nuk është e vërtetuar 100%.
Sipas disa burimeve jo zyrtare, gjatë samitit të OKB-së për klimën, janë bërë përpjekje për ta bindur Zaev-in të marrë pjesë. Ndaj, do të jetë çështje e minutës së fundit, për të parë se kush në të vërtetë do të shfaqet nga pala maqedonase.
Vetë Rama dhe Vuçiç, gjatë samitit, janë parë të bisedojnë në tavolinë së bashku. Objekt i bisedës ka qenë pikërisht Ballkani i Hapur dhe vendosmëria për ta vijuar nismën.
(Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Glasgow)
Gjithsesi, ashtu si shumë analistë e cilësojnë, e sotmja është dita më e vështirë prej ngjizjes për nismën e tregut të hapur dhe lëvizjes së lirë në rajon.
“Rreziku” i djathtë
Çfarë po vërtitet si rrezik për Open Balkan, është pikërisht qasja që mund të marrë Maqedonia e Veriut karshi iniciativës.
Dorëheqja e Zaev-it, krijoi kaos dhe paqartësi politike, me disa skenarë të mundshëm si pasojë.
Pra, mund edhe të ndodhë që Maqedonia e Veriut të tërhiqet tërësisht nga nisma Open Balkan.
(Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç firmosin marrëveshjet në kuadrin e Open Balkan)
Kështu, duke e lënë përfundimisht me dy vende nga gjashtë konceptin.
Si e tillë, Maqedonia e Veriut do t’i bashkohej Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, si një vend skeptik kundrejt Ballkanit të Hapur.
Pikërisht atëherë, do të vihej realisht në pikëpyetje dobia e marrëveshjeve për hapjen e doganave dhe kufijve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kjo, edhe për faktin se do të rrethoheshin nga katër vende jo fort mirëdashëse ndaj tyre.
Me disa skenarë të mundshëm në lojë, takimi Rama-Vuçiç – dhe kushdo përfaqëson palën maqedonase – kthehet në takimin më interesant të Open Balkan që prej konceptimit.
Rrugët, mund të jenë disa.
Open Balkan mund të vijojë rrugëtimin e nisur. Mund të ketë edhe një kthim tërësor tek Procesi i Berlinit, duke përjashtuar Open Balkan.
Ose, nismat, mund të vijojnë paralelisht, ashtu si po ndodh deri më tani./AP/