(FOTO: Vjosa Osmani ne konference per media)
Kosova e Serbia s’mund të barazohen, prandaj Bashkimi Evropian duhet ta bëjë të qartë këtë dallim, ka thënë Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, në konferencë për media me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë.
“Ne presim që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshme karshi tendencave destabilizuese të Serbisë ndaj gjithë rajonit”, pohoi Osmani, “tendenca që i shërbejnë Rusisë”.
Osmani ka kërkuar nga BE që ta bëjë të qartë se “nuk mund të ketë ekuivalencë të palëve kur Serbia është agresori”.
“Prandaj”, thotë presidentja, “presim që sinjale të qarta BE-ja të jap në raport me Serbinë, e cila duhet të ndalet”.
Osmani ka falënderuar homologun nga Shqipëria, që ka zgjedhur Kosovën për vizitën e tij të parë jashtë vendit si president.
“Presim mbështetjen e Shqipërisë, sidomos në njohje të reja dhe organizata ndërkombëtare siç është NATO”.
Osmani është ndalur edhe të situata e fundit në Veri. Ka thënë se “institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të vazhdojnë me koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë”.
Ajo ka shtuar se “po merren të gjitha hapat që të zbatohen në praktikë vendimet e institucioneve tona (për reciprocitetin) dhe trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve”.
Deklarimi i Osmanit ishte përgjigje për një komunikatë për media lëshuar nga Bashkimi Evropian, ku kërkohej që të ndalohet gjuha nxitëse nga të dy liderët (Kurti dhe Vuçiç) dhe thuhej se nëse eskalon situata në Veri, ata do të jenë fajtorët.
Komenti i Osmanit ishte gjithashtu kundërpërgjigje ndaj kryeministres serbe, Ana Brnabiç, e cila shkroi të dielën në Twitter se “Vuçiç është paqësor”, por Kurti “po nxitë”.