WASHINGTON- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka thënë se pret që Irani mund të përpiqet të godasë Izraelin në një afat të afërt si hakmarrje për një sulm në Siri.

Pavarësisht kësaj, shefi i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi Teheranin që të mos ndërmarrë akte të tilla, pasi për Joe Biden nuk do kishte asnjë sukses.

“Nuk dua të hyj në meritat e informacionit të besueshëm, por pres që Irani të përpiqet të sulmojë Izraelin në një afat të shkurtër, më shpejt se sa vonë”, tha presidenti amerikan i cili paralajmëroi Teheranin: “Mos sulmoni Izraelin”.

Gjithsesi në këtë pikë Biden përcolli mesazhin e drejtpërdrejtë se SHBA do ta mbështesë Izraelin.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së Izraelit. Ne do ta mbështesim Izraelin. Ne do të ndihmojmë në mbrojtjen e Izraelit dhe Irani nuk do të ketë sukses”, u shpreh Biden.

Shtëpia e Bardhë më herët kishte thënë se Uashingtoni nuk dëshironte që konflikti të përhapej në Lindjen e Mesme dhe se Shtetet e Bashkuara i kishin thënë Iranit se nuk ishin përfshirë në një sulm ajror kundër një komandanti të lartë ushtarak iranian në Damask. Shtëpia e Bardhë tha se e kishte paralajmëruar Iranin që të mos e përdor sulmin në Damask si arsye për të përshkallëzuar më tej situatën në rajon.