Pas bazës ajrore vjen një tjetër propozim për NATO-n: Aleanca mund të ndërtojë bazën e saj detare në Shqipëri. Bëhet fjalë për Pashalimanin, bazën më të rëndësishme detare në vendin tonë e cila shumë shpejt mund të përdoret nga Aleanca e Atlantikut të Veriut ashtu si edhe Kuçova ku vitin tjetër pritet të nisin punimet për bazën e re ajrore.

Burime zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes thanë se pas ofertës së paraqitur pak muaj më parë gjatë vizitës së saj në Pentagon, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka materializuar gatishmërinë e vendit tonë për të vënë në dispozicion të NATO-s bazën e Pashalimanit dhe punimet pritet të nisin brenda vitit 2025.

Sipas të njëjtave burime, Ministrja Xhaçka, disa ditë më parë i është drejtuar përmes një letre zyrtare komandantit të Komandës Supreme për Europën, gjeneralit amerikan Tod D. Ëolters, ku i parashtron edhe planin e qeverisë shqiptare për modernizimin e bazës detare të Pashalimanit, me qëllim përdorimin e saj nga Aleanca.

Ministrja e Mbrojtjes mësohet se ka shprehur gatishmërinë e palës shqiptare për hartimin dhe zbatimin e një plani të përbashkët me NATO- n për zhvillimin e mëtejshëm të bazës detare konform standardeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Propozimi më i ri për NATO-n për një bazë të saj detare në Shqipëri, e vetmja në Ballkan vjen në një kohë kur, rritja e emigracionit të paligjshëm apo kërcënimet për sigurinë që vijnë nga veriu i Afrikës apo Lindja e Mesme shihen si çështje shqetësuese për Aleancën.

Kujtojmë se NATO ka miratuar tashmë vendimin për të ndërtuar në Kuçovë bazën e saj të parë ajrore në Ballkan. Në Janar të këtij viti ishte gjenerali Ëolters, i cili vizitoi Tiranën dhe gjatë takimit me Ministren Xhaçka njoftoi fillimin e punës për bazën e re, punimet për të cilën pritet të nisin në fillim të vitit të ardhshëm.

Veritas.com.al/