Grupi i Enkelejd Aliebajt ka dorëzuar në Kuvend një paketë ligjesh për dekomunistizimin. Janë 4 ligje, duke filluar nga hapja e plotë e dosjeve, te shpallja e Spaçit muze, te ndërhyrjet në filma e libra dhe deri te lustracioni. Ishte deputeti Kreshnik Çollaku, ai i cili në një deklaratë për mediat dha detaje nga nisma në fjalë.
“Pikërisht, për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij debati, dhe për të mbyllur një kapitull aspak të lavdishëm të Shqipërisë postkomuniste, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, së bashku me ekspertët e saj, ka përgatitur një paketë ligjore për drejtësinë tranzitore, të materializuar në katër nisma ligjore, përkatësisht: (i) Projektligji për shpalljen muze kombëtar të Spacit dhe kampit të Tepelenës; (ii) Projektligji për hapjen e plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit: (iii) Projektligji për ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar komunist; dhe (iv) Projektligji për lustracionin”, tha Çollaku.
Ai tha se tre projektligjet e para janë depozituar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa projektligji i lustracionit është depozituar sot. Ai shtoi se ky projektligj është hartuar me mjaft kujdes, duke pasur veçanërisht në vëmendje vendimin nr. 9, datë 23.03.2010 të Gjykatës Kushtetuese dhe jurisprudencën e çmuar të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Projektligji i propozuar reflekton standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me legjislacionin për pastërtinë e figurës (lustracionin). Qëllimi i këtij projektligji nuk është aspak hakmarrja, nxitja e urrejtjes, konfliktit apo përçarjes sociale, por nëpërmjet një kuadri ligjor të detajuar synon që të mbrojë institucionet e brishta shqiptare nga individë, të cilët në të kaluarën e tyre kanë qenë të angazhuar në strukturat e larta drejtuese të regjimit totalitar komunist apo ish-Sigurimin e Shtetit. Kjo mbrojtje realizohet nëpërmjet shkarkimit nga detyra, në rastet kur personat janë të zgjedhur apo emëruar në detyrë, apo ndalimit të zgjedhjes apo emërimit, kur ata janë duke u përpjekur të zënë një funksion të caktuar publik”, tha ai.
Çollaku shtoi se projektligji ka përcaktuar në një listë shteruese rrethin e funksionarëve publikë që i nënshtrohen verifikimit. “Kjo listë përmban funksionarët më të lartë të shtetit shqiptar, qofshin ata të zgjedhur nga populli, të emëruar nga Kuvendi, të dekretuar nga Presidenti i Republikës, organe kushtetuese apo të krijuara me ligj, si dhe funksionarë që ushtrojnë detyra të një rëndësie të vecantë. Nga ana tjetër, lista e funksioneve të mbajtura gjatë regjimit totalitar komunist, i referohet vetëm atyre detyrave, të cilat kanë qenë përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e politikave të dhunës dhe represionit, pra kanë shkaktuar një dëm aq të madh në shoqëri, sa duhen prezumuar fajtorë”, tha ai.
Por nisma e tyre duket se godet dy njerëz: Ilir Metën dhe Sali Berishën. Sipas ligjit të lustracionit, sigurimsat nuk do mbajnë poste dhe kjo prek Metën.
Por nga ana tjetër kemi Berishën që ka qenë Sekretar i Partisë Komuniste. Tesera e tij tashmë është bërë publik. Mbetet të shihet nëse do mbështetet nga PS kjo paketë nismash e grupit të Alibeajt.