Partia Demokratike mesditën e 21 janarit u ka dërguar një raport të dytë përfaqësive ndërkombëtare në Shqipëri dhe jo vetëm.

Kjo lidhur me protestën e 8 janarit të thirrur nga ish kryeministri, Sali Berisha.

Ky raporti i përpiluar nga selia blu u është dërguar të gjithë faktorëve ndërkombëtarë, ambasadave të ministrisë së Jashtme të Bashkimit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në këtë raport, PD-ja do të vejë në dijeni faktorin ndërkombëtar lidhur me vendimet e Kryesisë për përjashtimin e Sali Berishës dhe mbështetësve të tij nga partia.

Vendim që u mor pas dhunës në protestën e 8 janarit.

“Kryesia vendosi të dënojë ashpër aktet e dhunës, gjuhën përçarëse dhe retorikën që nxisin konflikt mes anëtarëve të PD-së”, shkruhet aty.

Sipas PD-së, ngjarjet janë evidentuar edhe me pamje video ku janë parë shkatërrimi i kamerave të jashtme me qëllim nga protestuesit e dhunshëm, thyerja e syzeve, përdorimi i materiale ndërtimi si shufra hekuri për të shkatërruar dritaret dhe për të thyer dyert.

Pas protestës së dhunshme në selinë blu, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e Kryesisë së forcës politike gjatë mbrëmjes së 10 janarit, ka vendosur të përjashtojë nga Partia Demokratike ish-kryetarin dhe bashkëthemeluesin e saj Sali Berisha, së bashku me shtatë anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.

Anëtarët e tjerë të përjashtuar janë: Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.

Një seri emrash, gjithashtu, janë pezulluar përkohësisht nga organet e demokratëve.

Ndër këta të fundit bëjnë pjesë emra të rëndësishëm, si Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Këlliçi, Edith Harxhi, Edi Paloka, Oerd Bylykbashi apo Tritan Shehu.

Kjo lëvizje e Bashës dhe kryesisë së demokratëve është edhe ajo më drastike, pas protestës së zhvilluar nga Berisha dhe mbështetësit e tij më 8 janar në selinë blu.