Sali Berisha dhe Ilir Metaj kanë firmosur dje marrëveshjen elektorale për zgjedhjet vendore të 14 Majit.

Por kjo marrëveshje nuk është pritur aspak mirë nga amerikanët.

 Një burim diplomatik tha për Vox News se SHBA do të ndërpresin komunikimin me Partinë e Lirisë dhe Ilir Metajn, për shkak të bashkëpunimit me një person që është ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Që nga ikja e Ilir Metajt si President i Republikës, Ambasada Amerikane ka zhvilluar disa takime me të, për të pasur mundësi bashkëpunimi, por me kushtin që mos ishte në aleancë me Sali Berishën.

Në forma sa diplomatike, aq edhe të drejtpërdrejta amerikanët kanë kërkuar nga Metaj që të shmang çdo lloj mbështetje apo bashkëpunimi me Sali Berishën.

Kjo kërkesë i është bërë dhe aleatëve të tjerë të Berishës, të cilët janë lajmëruar edhe për sanksione nëse nuk do të tërhiqen nga bashkëpunimi me një person të shpallur ‘non grata’.

Për t’u treguar praktik, SHBA i ka refuzuar vizën Shpëtim Idrizit deri në momentin që ai s’do të ketë aleancë me Berishën.

Aleanca e sotme e Metajt me Berishën, nuk është pritur mirë as nga ambasada britanike.

I njëjti burim bëri me dije se në vijim dy ambasadat në Tiranë do të kenë një qëndrim për të kundërshtuar aleancën e dyshes Berisha-Metaj.

Një zyrtar në Partinë e Lirisë i pyetur për këtë qëndrim të amerikanëve, tha për Vox News, se “Metaj ka peshuar të dy opsionet dhe duke qenë se i mbytur ka qenë, ka zgjedhur më mirë të mbytet në një varkë me Doktorin”.

Paraditen e sotme dy kryetarët e partive opozitare nënshkruan një marrëveshje, e cila mund të zhbëhet në 3 nëntor kur të jepet vendimi i gjykatës në lidhje me partinë Demokratike.

Në marrëveshjen me 6 pika, dy aleatët tashmë në opozitë dakordësohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, që përfaqëson sipas tyre, vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik.

Në marrëveshjen e firmosur, palët dakordësohen që konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, ndërsa Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.