Kryeministri Edi Rama ka mbledhur qeverinë për fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë. Rama e ka nisur fjalën e tij duke thënë se është krenar pasi mbyllet me një notë pozitive puna e një mandati të vështirë me tërmetin dhe pandeminë.
Në konferencën për shtyp, në përmbyllje të mandatit të dytë qeverisës, ndërsa falënderoi mjekët për punën e tyre në luftën me pandeminë, Rama vlerësoi Çomon për vendimin e saj, duke e cilësuar si përgjegjësi të lartë profesionale. Sipas Ramës, Çomo ishte kërkuar të qëndronte pranë ekipit të saj, në një kohë kur varianti Delta po përhapet masivisht në vend.“Jam i prekur nga komunikimi me doktoreshën Najda Çomo, më kërkoi të pranoja tërheqjen e saj nga roli i deputetes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj fantastik, kur Delta nisi të mbushë shtretërit e terapisë intensive. Një shembull kuptimplotë i përgjegjësisë së lartë për detyrën. Lufta nuk ka mbaruar vjeshta e dimri mund të jenë të vështirë, por falë mjekëve janë shpëtuar me mijëra jetë dhe Shqipëria po mbyll një sezon turistik të hapur për të gjithë”, tha Rama.
Me tej, kryeministri Edi Rama tha se mandati i dytë mbyllet me një notë pozitive, ku qeveria ia doli të kalonte të dy sfidat atë të tërmetit dhe pandemisë. Ai ka pasur edhe një apel të fortë për qytetarët që të vaksinohen pasi sgmangin fatalitetin nga COVID-19 dhe se të gjitha vaksinat janë efektive.