24 vjeçari i cili u përfshi mbrëmjen e djeshme në një aksident me makinën e eskortës së Sali Berishës është vënë nën hetim.
Aksidenti ku u përfshinë tre makina ka ndodhur teksa ish-kryeministri po kthehej nga Foltorja në Kurbin. Sipas policisë, shkak i aksidentit me tre të lënduar është bërë manovra e gabuar e mjetit tip ‘Benz’ që drejtohej nga 24-vjeçari, Ardi Mulliqi nga Kosova, si edhe shpejtësia mbi norma dhe mosrespektimi i distancës.
Aksidenti ka ndhur rreth orës 19:00 të së premtes në autostradën Milot-Mamurras, ku drejtuesi i ‘Benz’-it me targa të Kosovës pasi ka dalë nga karburanti ka përplasur një tjetër “Benz ” që drejtohej nga Sali Lozi, ndërsa ky i fundit ka goditur nga pas mjetin shoqërues të deputetit Sali Berisha. Të tre automjetet qarkullonin në një sens lëvizjeje, në korsinë e shpejtësisë. Për pasojë janë lënduar tre persona që ndodheshin në benzin me targa të Kosovës të cilët pas mjekimit janë larguar në banesa.
Për këtë ngjarje reagoi edhe Ervis Tusha, truproja i Berishës i cili ka deklaruar se shkak është bërë një makinë me targa të Kosovës që po ecte në kundravajtje dhe me shpejtësi tej normave të lejuara. Por, burime për ‘Report Tv’ bëjnë me dije se janë kontrolluar kamerat e zonës por ka rezultuar se asnjë makinë nuk lëvizte kundravajtje në korsinë rrugore.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor “.