Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë duke e cilësuar si një akt të shëmtuar dhe të patolerueshëm incidentin që ndodhi të shtunën ku një efektiv policie shtyn gazetaren dhe operatorin drejt greminës në Dajt.

Në prezantimin e buxhetit të 2022 për Ministrinë e Brendshme, Rama tha se individë të tillë përbaltin dinjitetin e të gjithë efektivëve dhe nuk e meritojnë të jenë pjesë e Policisë së Shtetit.

“Duke qenë gazetare ngjarja u bë me e madhe për faktin se keqtrajtoi mbi të gjitha një qytetare. Këto akte hedhin hije mbi gjithë këtë punë dhe rezultatet që kemi arritur dhe patjetër që çdonjëri prej jush që del në mëngjes nga shtëpia për të shkuar në një front të vështirë, nuk e meriton që të jetë pjesë e këtij imazhi të turpshëm. Është hedhur stërkala balte mbi policinë e shtetit që vijnë nga shkelja e patolerueshme e vijës së punonjësve të policisë. Duhet vepruar siç u veprua me shpejtësi me pa asnjë tolerancë duke i larguar këta efektivë nga policia e shtetit. Figura e Policisë së shtetit nuk ka nevojë për asnjë gjest apo fjalë të tepërt pasi është mishërim i ligjit, dhe ligji nuk kërcënon nuk shan, ligji vetëm vepron. Është krejt e tepërt të shtohen gjeste dhe të bëhen akte që i ulin kokën atë ditë dhe nganjëherë për disa ditë me radhë të gjithë punonjësve të policisë së shtetit. Atë ditë shihen të gjithë me atë syrin kritik për shkak se ai që kreu veprimin nuk e meriton të jetë koleg i tyre. Kolegët meshkuj dallohen për këto veprime sepse koleget janë shëmbëlltyra më kuptimplotë e sjelljes kudo ku ato kryejnë detyrën”, tha Rama.