Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, po zhvillon një takim me kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arben Kraja.
Burime nga policia pohojnë se takimi ka në fokus bashkëpunimin dhe diskutimin mbi ngjarjet e fundit, përfshirë edhe arrestimin e ish-deputetit Alqi Bllako.
Arrestimi i ish-deputetit socialist, Alqi Bllako, nga Policia e Shtetit u bë në orën 03:30 të 1 prillit.
“Në orën 15.45, të datës 31.03.2022, vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Alqi Bllako i është dhënë për ekzekutim strukturave të Policisë së Shtetit. Vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03.30 të datës 01.04.2022”, thekson deklarata zyrtare e SPAK-ut.
Masa
Bllako akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” gjatë kohës që mbante postin e këshilltarit në Ministrinë e Mjedisit.
SPAK-u e ka akuzuar Alqi Bllakon se, në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe zyrtarë vendorë në Fier, kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë ndryshuar destinacionin e pronës ku do të ndërtohej inceneratori.
Sipas SPAK-ut, ish-deputeti Bllako ka favorizuar kompaninë fituese të inceneratorit të Fierit dhe ka marrë si ryshfet shumën prej 14.9 milionë lekësh në formën e pagesave që janë kaluar për llogari të babait të tij, Edmond Bllako.