Koment/ 

Gjatë ditës së djeshme presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka dërguar dy ftesa kryetarit të LVV-së, si partia e parë e dal nga zgjedhjet e 6 tetorit për ta madatuar për formimin e qeverisë, por që përmes një letre, kryetari i LVV-së, Albin Kurti kishte thënë se e ka të pamundur t’i përgjigjet ftesës pasi gjendet jashtë shtetit.

Megjithatë, në një takim të fundvitit me gazetarët, Kurti ka deklaruar se nuk mund të caktohet një takim i tillë sot për sot, derisa ka pasur reagime të shumta se së pari partia e parë e dal nga zgjedhjet duhet t’ia propozojë një emër për kryeministër presidentit.

Politologu Ramush Tahiri për KosovaPress, thotë se pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, presidenti e ka për obligim që ta thërrasë në konsultim partinë fituese për ta marrë emrin e kandidatit për kryeministër, e që sipas tij, presidenti me të drejtë e ka dërguar ftesën për të marrë propozimin nga LVV.

Ai thotë se presidenti e ka respektuar procedurën, ndërsa shton se liderit të LVV-së, Albin Kurti duhet t’i ngutet për ta formuar Qeverinë e Kosovës.

“Presidenti ka dashur ta respektojë procedurën dhe e ka respektuar e gjithashtu ka dashur me i përshpejtua hapat, sepse për konstituimin e Kuvendit është vonuar dhe në këtë rast ka dashur ta bëjë më shpejtë. Albin Kurti këtë e ka ironizuar nën termin se po i ngutet presidentit, por në fakt duhet t’i ngutet Albin Kurtit dhe atij që dëshiron të formojë qeverinë, sepse sa më herët qeveria që bëhet aq më mirë dhe kjo ngutje është për të mirë dhe nuk është për ironizim në këtë rast. Çështja zgjidhet se presidenti mundet edhe me shkrim t’i drejtohet partisë dhe ta kërkojë me shkrim emrin dhe ta dekretojë, nuk është fare e nevojshme për t’u takuar”, thotë Tahiri.

Tahiri thekson se lideri i LVV-së, Albin Kurti duhet ta bëjë me shpejt qeverinë, pasi çdo vonesë që bëhet është e dëmshme për vendin.

“Nëse ka nevojë Albin Kurti me ble kohë edhe nëse gjen pazar me ble, normalisht le të blen, por unë mendoj që Albin Kurti duhet me e bë më shpejt qeverinë dhe çështja e kohës dhe çështja e caktimit të ministrave duhet të jetë më shpejt edhe për shkak të buxhetit që do të miratohet. Çdo vonesë shprehet keq në situatën politike, por edhe në rrethana të tjera. Në këtë rast LVV dhe Albin Kurti duhet ta bëjnë koalicionin me LDK-në ose me cilëndo parti e cila ofron bashkëpunim dhe e cila i ka numrat, ndërsa prolongimi nuk mund të bëhet në kurriz të presidentit”, thotë ai.

Ndërkaq, analisti politik Rasim Alija, thotë se refuzimi i kryetarit të LVV-së, Albin Kurti për të shkuar te presidenti për t’u mandatuar është një blerje e kohës për të arritur një koalicion me LDK-në.

Ai thotë se edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kreu i LVV-së Albin Kurti, nuk duhet të vonojnë krijimin e institucioneve të vendit.

“Duhet t’i kuptojmë të dy pozicionet, edhe të presidentit edhe të pretendentit për kryeministër në këtë rast z.Kurti. Problemi i presidentit është sepse e ka pozitën e tillë dhe donë ta fus në këtë rast z.Kurti në këtë afatin e rrjedhjes ligjore, e që është menjëherë pas dhënies së mandatit, ecë afati për formimin e qeverisë, atë 15 ditëshin që e ka në dispozicion z.Kurti. Ky është qëllimi i presidentit, kurse qëllimi i z.Kurti ose refuzimi i tij është që të blejë kohë, të paktën edhe dy javë ose tri javë të tjera që të mund të arrijë një koalicion të shumicës, e që i bije një marrëveshje me LDK-në. Po janë dy pozicione të kundërta që e kemi pa edhe përfundimin, ka qenë ftesa e presidentit dhe refuzimi i z.Kurti që të takohet…E rëndësishme është që edhe z.Kurti edhe z. Thaçi të mos i vonojnë formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, mirëpo kjo siç duket do të mbetet në muaji n janar, sepse gjasat që të arrihet një marrëveshje me LDK-në në këtë kohë janë gati si minimale”, thotë ai.

Sa i përket mundësisë së arritjes së një marrëveshje për koalicion mes LVV-së dhe LDK-së pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit të Kosovës, Alija thotë se LVV duhet të mendojë për opsionet që do t’ia ofrojë LDK-së

Ai thotë se LVV duhet të mendojë se nëse dëshiron të ketë një qeveri të pakicës e cila nuk do të kishte më shumë se një vit e gjysmë jetëgjatësi.

“Ka kohë ende për një marrëveshje me LDK-në, e marrëveshja do të mund të ishte në shtimin e numrit të ministrive që do t’i merrte LDK, mund të kemi kërkesa që LDK t’i marrë tetë ministri dhe të mos lëvizë nga pozicioni për kërkesën e presidentit. Mirëpo, mbetet tek LVV se sa do ta pranojë ofertën e LDK-së, e mbi të gjitha mbetet tek LVV ta shqyrtojë secilin opsion tjetër, sepse opsionet e LVV-së në këtë situatë pas konstituimit të Kuvendit dhe pas zgjedhjes së z.Konjufca si kryetar i Kuvendit opsionet e LVV-së për bashkëqeverisje vetëm janë reduktuar dhe ajo çka mund t’i ofrojë LVV një partie të mundshme në këtë rast edhe LDK-së është ulë kjo mundësi në aspektin e ofrimit të pozicioneve. Pra, LVV duhet ta mendojë seriozisht nëse do të ketë qeveri të shumicës ose qeveri të minorancës, sepse mundet ta krijojë edhe si e vetme sepse LDK i ka ofruar dhe besoj që në secilin rrethanë do ta votonte një qev eri nga z.Kurti. Mirëpo, do t’i pamundësohet ose vështirësohej shumë qeverisja LVV si e vetme, duke i pasur parasysh edhe votat e LDK-së në formimin e qeverisë, mirëpo edhe votat e komuniteteve jo shumicë në qeverisje. Do të ishte një qeverisje e minorancës dhe sipas të gjitha gjasave ajo qeverisje nuk do t’i bënte më shumë se një vit ose një vit e gjysmë”, thotë Alija.

Në lidhje me afatet kohore për mandatarin për kryeministër, njohësi i rrethanave politike dhe Kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se neni 95 i Kushtetutës e parasheh që qysh prej momentin kur Albin Kurti mandatohet nga presidenti për kryeministër, rrjedh afati i parë 15 ditësh për formimin e qeverisë. Nëse nuk ka vota për këtë, pason afati tjetër 10 ditësh, e nëse as pas kësaj nuk arrihet, presidenti shpall zgjedhjet e reja brenda 40 ditësh.

Por neni tjetër, ai 85, për Baraliun parasheh që mandatari për kryeministër, prej ditës kur mandatohet ka afat rreth 60 ditë për të formuar qeverinë dhe pas saj, sërish shpallje për zgjedhje të reja.

Krahas këtyre neneve, që nuk i lejohet partisë së dytë të ofrojë mandatar është një vendim i vitin 2014 i Gjykatës Kushtetuese, ku i lejohet partisë së dytë dhe tretë të ofrojnë kandidatin e tyre për kryeministër pas dështimit të partisë së parë.

Sa i përket ftesës së presidentit Thaçi për kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, Baraliu duke kërkuar përgjigjen karshi kësaj ftesë konsultative, thotë se nuk ka detyrë ma prioritet të partisë fituese se sa t’i përgjigjet kërkesave dhe obligimeve Kushtetuese.

“Nuk ka detyrë ma prioritet të partisë fituese se sa t’i përgjigjet kërkesave dhe obligimeve Kushtetuese. Obligim Kushtetues për presidentin është që të konsultoj partinë fituese për të mandatuar dhe obligim kushtetues për partinë fituese dhe eksponentin, Albin Kurti që të shkojë dhe të bisedojë për këtë çështje”, thotë ai.

Ndërkaq, njohësi i rrethanave politike në Kosovë, Albert Krasniqi, thotë se akti i konsultimit të presidentit me partinë politike që ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhje për të caktuar mandatarin për kryeministër, nuk nënkupton domosdoshmërish takim formal.

“Akti i konsultimit të Presidentit me partinë politike që ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhje për të caktuar mandatarin për Kryeministër, nuk nënkupton domosdoshmërish takim formal. Konsultimi mund të bëhet edhe në forma tjera zyrtare, përmes së cilave partia politike i propozon emrin e personit për mandatar për kryeministër. Partia politike që ka qoftë shumicën relative, qoftë shumicën absolute në Kuvend, nuk ka nevojë të paraqes asnjë dëshmi para Presidentit që ka mbështetjen e të pakën 61 deputetëve në Kuvend. Se a do t’i ketë votat e nevojshme për formimin e Qeverisë përcaktohet nga votimi në Kuvend”, ka shkruar ai në facebook.Kosovapress (TCH)

Veritas.com.al/