Kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi është paraqitur paraditen sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Bushi u pyet nga Prokurorët e SPAK për gati 1 orë e 45 minuta. Pas daljen nga godina e SPAK Bushi tha për mediat se nuk kishte asnjë gjë serioze në marrjen e tij në pyetje.

Ai nuk bëri asnjë koment për pyetjen e mediave nëse ai është konfirmuar si kandidat i PS për zgjedhjet e 14 majit. Bushi u paraqit sot në SPAK pasi ndaj tij janë regjistruar 7 kallëzime

Bushi ka dhënë sqarime për një hetim të nisur nga prokurorja e posaçme, Manjola Kajana pas kallëzimit të shtetasit Muharrem Hoxha se Bushi dhe inspektoriati i Bashkisë ndërtimore të Krujës i kanë vendosur 3 gjoba me shumë totale 35 milionë lekë për ndërtim pa leje.

Kryetari i bashkisë së Krujës është paraqitur si person që ka dijeni, për të dhënë sqarime rreth këtij kallëzimi.

Ndaj Artur Bushit rezulton se kanë ardhur gjithsej 7 materiale kallëzuese, nga të cilët:

-Për 3 materiale kallëzuese është regjistruar procedim penal.

-Për 2 materiale kallëzuese është vlerësuar të dërgohen për kompetencë në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.

-Për 2 materiale kallëzuese është vendosur mosfillim procedimi.