Nga Leart Skiro/
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbërritur tashmë në Tiranë, në zyrat e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Vizita është njoftuar “briefly”, veç para dy ditësh. Kjo është vizita e parë zyrtare e Hashim Thaçit si president i Kosovës, jashtë shtetit të tij, përveç takimeve të punës në Bruksel dhe Washington.
Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, sot dhe nesër, presidenti Thaçi do të takohet me krerët e shtetit, duke nisur që nga presidenti i Republikës nga ka marrë ftesën, kryeministrin, kryetarin e Opozitës, kryetarin e Bashkisë dhe më në fund një vizitë në qytetin verior të Shkodrës ku po stërvitet ekipi kombëtar i futbollit i Kosovës për ndeshjen e radhës me ekipin e Kroacisë.
Në Tiranë ka kaluar një pjesë të jetës prej revolucionari, teksa strehohej për të mos rënë në duar të ushtrisë së Serbisë…
Në pamje të parë, vizita duket si një “gjë që duhet bërë”, mjaft të flasin mediat se Presidenti i Kosovës nuk është i izoluar në zyrën e vet. Në anë tjetër duket se vizita ka formatin e një aktiviteti populist; me vizitën në Tiranë të ushtrojë influencë te qytetarët e Kosovës. Sidomos me vizitën e ekipit të futbollit të Kosovës, pikë e ndjeshme e qytetarëve të Kosovës…
Vlerat konkrete të vizitës së Thaçit mund të gjykohen veç në optikën e ngjarjeve të Ballkanit ose edhe të rajonit më gjerë.
Zërat e përhapur se kryeministri i Shqipërisë, Rama, dhe kryeministri i Serbisë, Vuçiç janë dy miq të ngushtë; shumë më të miqësuar “nën dhe” se sa në sipërfaqe, të çojnë në përfundimin se Thaçi vjen këtu për Ramën dhe jo për Nishanin. Këta janë dy majtistë të përafërt në metodat qeverisëse, janë edhe “aq të lehtë” politikisht sa komunikojnë mes njëri tjetrit me gjuhën e ulët populiste. Arsyeja e vizitës së Thaçit, e vërteta, mund të jetë takimi me Ramën në lidhje me Vuçiç.
Qeveria e Vuçiç ka deklaruar se presidenti i Kosovës, Thaçi, është “i kërkuar për krime lufte në Serbi”. Kjo ëhstë pengesë shumë e madhe për zhvillimin e aktivitetit presidencial. Zgjidhja që mund të gjejë në Tiranë është shfaqja e Thaçit në krah të Ramës, si një mik “i dashur dhe i veçantë”.
Sa e influencon kjo qeverinë e Serbisë? Në dukje- shumë pak. Por undergound ka një influencë interesash mes tre krerëve: Rama, Vuçiç dhe Thaçi. Mjafton që sot për sot të mos thuhet shpesh “Thaçi wanted”, dhe kjo nuk është pak. Por ka edhe më shumë privilegje.
Thaçi, duke vizituar Shqipërinë, e ka vënë veten më afër dhe më ngushtë mes Ramës së Tiranës dhe Vuçiç të Beogradit.
(Veritas.com.al)